16:27 / E Shtunë, 16 Qershor 2018

Gurthyesit po gërryejnë pasuritë e Kosovës, 80 raste të operimeve ilegale

Në Kosovë janë një numër i madh i kompanive private të cilat shfrytëzojnë pasuritë minerale. Madje, shumë prej tyre veprojnë edhe ilegalisht duke dëmtuar kështu vendin dhe shkatërruar pasuritë natyrore. Për një vit, Komisioni i Punës për Miniera dhe Minerale ka identifikuar 80 raste të operimeve ilegale, shkruan Indeksonine.

Për këto raste, në prokurori janë shqiptuar 76 kallëzime penale, ku janë dhënë gjoba në vlerë prej 605 mijë e 200 euro. Përveç kësaj, KPMM kishte parashtruar 115 raste /propozim për përmbarim në vlerë prej 743,684€ ndaj operueseve ilegal.

Mirëpo, auditori gjatë kontrollimit ka vërejtur që disa prej operatorëve ilegale ende veprojnë.

“Përkundër që Inspektorati i KPMM kishte ndërmarrë bashkë-veprime me institucionet përkatëse për ndaljen e operimeve ilegale dhe shqiptimin e gjobave, ne kemi vërejtur se efekti ishte i ulët. Vazhdimi i aktiviteteve të operatorëve ilegal mund të shkaktoj mos përdorim të drejtë të pasurive minerale dhe shkatërrimin e tyre. Në anën tjetër, dështimi për të mbledhur gjobat e shqiptuara dhe vazhdimi i praktikave të tilla mund të nxis operuesit ilegal t’i shmangen pagesës për shfrytëzimin e pasurive minerare”, theksohet në raport, transmeton Indeksonline.

Përveç kësaj papërgjegjshmërie që i hap rrugë operatorëve ilegal të shkatërrojnë vendin, ka raste kur edhe bartësit e licencave nuk raportojnë për aktivitetet e shfrytëzimit, tonazhin, qëllimin e vlerën e mineraleve të prodhuara.

“Neni 34 i Ligjit 03/L- 163 për Miniera dhe Minerale i ndryshuar me Ligjin nr.04/L-158, përcakton se- Bartësit e licencave për shfrytëzimin e pasurisë minerare duhet të raportojnë për periudhën përkatëse një përmbledhje të të gjitha rezultateve të aktiviteteve të shfrytëzimit pasurisë minerare, detaje të sakta për tonazhin, vëllimin, përbërjen, shkallën dhe vlerën e mineraleve të prodhuara. Nga mostrat e testuar është vërejtur se në dy raste, bartësit e licencave për shfrytëzim e pasurisë minerare nuk kanë raportuar mbi aktivitetet e shfrytëzimit, si detaje të sakta për tonazhin, vëllimin, përbërjen, shkallën dhe vlerën e mineraleve të prodhuara”, thuhet tutje për KPMM-në.

Po ashtu, KPMM ka treguar mangësi në menaxhimin e pasurive.

“Me datë 31.01.2017 KPMM kishte marrë vendimi (nr.05/07) për dhurimin e pasurive Qendrës Korrektuese në Lipjan. Ndërsa me vendimin nr. 40/2017 i datës 28.09.2017, KPMM themelon komisionin për vlerësimin e pasurisë jo financiare. Komisioni përkatës pas mbarimit të punës, identifikon pasurit që janë jashtë përdorimit për asgjësim. Ne identifikuam se pasuritë dhuruara si dhe ato të asgjësuara nuk ishin larguar nga regjistrat e pasurisë jo-financiare; Po ashtu, identifikuam se 20 llaptopa dhe pajisje përcjellëse në vlerë 14,524 edhe pse ishin të regjistruar në SIMFK, të njëjtit ishin regjistruar edhe në sistemin e e-pasurisë. Në këtë rast, pasuria ishte mbivlerësuar për 14,524€”, thuhet për këtë çështje, transmeton Indeksonine.

Auditorit ka tërhequr vëmendjen edhe për atë se KPMM nuk i zbaton rekomandimet, ku parregullsitë përsëritën nga viti i kaluar. Kjo ka të bej me mos raportimet e bartëseve të licencave, vazhdimi i operimeve ilegale, dhe rritja e vazhdueshme e të arkëtueshmeve.

Ndryshe, në një përgjigje për Indeksonine më parë KPMM është deklaruar se ka lëshuar për shfrytëzim 183 licenca, 166 licenca hulumtimi.

Ndërsa, lejet e lëshuara për makineri gjithsej janë 175, sortues 98, 55 bazë betoni, 22 bazë asfalti.

Sa i përket veprimtarive ilegale, sipas këtij komisioni shfrytëzime ilegale janë 4, ndërsa makineri ilegale janë gjithsej 38./Indeksonline/