14:03 / E Mërkurë, 16 Maj 2018 / indeksADMonline

Hahn: Statuti i Asociacionit duhet të përfundoj në gusht

Komisioneri për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se zgjidhja afatgjate për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë nënkupton një zgjidhje të qëndrueshme dhe realiste duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Në një intervistë për Tanjug, Hahn ka vlerësuar se dialogu i deritanishëm mes dy palëve ka dërguar në normalizim të marrëdhënieve, transmeton Indeksonline.

“Presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq në korrik të vitit 2017, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë Federica Mogherini kanë nisur punën për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në formë të marrëveshjes ligjërisht obliguese. Gjatë viteve, dialogu ka sjellë në normalizim të rëndësishëm të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, ndërsa hapi i radhës është që ai normalizim të dërgohet në nivel gjithëpërfshirës. Të dy palët, me ndihmën e Federica Mogherinit, duhet të definojnë përmbajtjen e marrëveshjes ligjërisht obliguese”, ka theksuar Hahn.

Sipas tij, me normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve do të përfitojnë të dyja vendet dhe do të jetë në interes shumë të madh për rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Komisioneri Hahn thotë se Bashkimi Evropian tani pret që marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe të zbatohet pa vonesa.

“Marrëveshja parasheh që statuti i AKS-së të formulohet për katër muaj nga nisja e punës në të. Kryeministri i Kosovës u ka dhënë mandat ekipit që të nis punën më 4 prill që do të thotë se afati përfundon më 4 gusht”, shtoi ai.