13:47 / E Enjte, 23 Gusht 2018 / indeksADMonline

Haliti: Listat e veteranëve janë formuar mbi baza politike

Nga janari e deri në korrik të këtij viti janë shpenzuar mbi 44 milionë euro për pensionet e veteranëve të UÇK-së, ku nga 170 euro në muaj kanë përfituar 37.771 veta.

Nëse vërtetohen pretendimet e ish-prokurorit Elez Blakaj se nga ky numër i përfituesve mbi 19 mijë janë veteranë të rrejshëm, atëherë buxheti i shtetit për shtatë muaj është dëmtuar për rreth 22 milionë euro, shkruan “Zëri”.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-themeluesi i Shtabit Qendror të UÇK-së (më pas Shtabin e Përgjithshëm), duke folur për listat e veteranëve ka thënë për “Zërin” që reagimet për listat e fryra janë të vonshme dhe të dhunshme.

“Kjo çështje ka kaluar në një proces të interesave të zonave të caktuara, por sidoqoftë ligji duhet të merret me këtë çështje nëse ka abuzime. Dëshmitarët më të mirë për këtë çështje janë komandantët e zonave, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm se kush ka qenë dhe kush nuk ka qenë pjesë e UÇK-së”, ka thënë Haliti.

Ndërsa duke mos e komentuar numrin e saktë të veteranëve Haliti e ka pranuar që ato janë krijuar mbi baza politike, gjë e cila ka dëmtuar këtë proces.

“Unë nuk kam mbajtur ndonjëherë ndonjë evidencë dhe nuk kam pasur në dispozicion ndonjë evidencë të ushtarëve të UÇK-së, por ajo që mund të them është që kam reaguar edhe për procesin e miratimit të ligjit dhe të listave. Listat janë bërë më shumë mbi baza të vendimeve politike ose formula e të qenit veteran është bërë mbi baza të koalicioneve të politikave ditore dhe kjo e ka krijuar një situatë që veteranë të bëhen më shumë sesa duhet”, ka thënë ai.

Sipas tij, institucionet e vendit duhet të merren me këtë rast si dhe individë të cilët kanë krijuar këtë rrëmujë duhet të marrin përgjegjësi para drejtësisë.