13:15 / E Mërkurë, 22 Gusht 2018 / indeksADMonline

Haradinaj dhe Veseli kujtojnë Bajram Rexhepin në akademi përkujtimore

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamenari Kadri Veseli kanë marrë pjesë në akademinë përkujtimore të organizuar nga komuna e Mitrovicës, në një vjetorin e vdekjes së ish kryeministrit Bajram Rexhepi.

Me këtë rast, Haradinaj e ka quajtur Rexhepin “njeri bujar në qëllimet  e tij”.

Kryeministri po ashtu ka thënë se nuk e ka njohur Rexhepin sikurse politikanët e tjerë porse ka respekt të madh për veprën e tij dhe sjelljen si njëri i jashtëzakonshëm, ngase ka kryer shumë punë për vendin e tij.

“Përkulem me respekt para figurës dhe veprës se Bajram Rexhepit”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka kujtuar kohën kur Rexhepi si mjek ka dalë nëpër male për të shëruar plagët e ushtarëve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Veseli tha se familja e tij duhet të jetë krenare për të sikurse klasa politike në Kosovë.

Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, nën patronatin e të cilit u organizua akademia përkujtimore, tha se lajmi për vdekjen e Rexhepit ka tronditur të gjithë.

Bajram Rexhepi ka vdekur më 21 gusht të vitit të kaluar pas një sëmundje të rëndë.