12:19 / E Premte, 13 Korrik 2018

Haradinaj: Edhe nëse BE-ja jep raport pozitiv për vizat, liberalizimi nuk bëhet shpejt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka komentuar edhe projektrezolutën e iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila kërkon ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë deri në liberalizimin e vizave.

Haradinaj tha se është i informuar për këtë iniciativë dhe e respekton vendimin e tyre.

Sipas tij, Kosova është për dialog, por shqetësimi për liberalizim të vizave po rritët dhe presioni po ashtu.

“Të gjithë po e ndjejmë presionin. S’besoj që do të arrijmë deri aty pasi që pritet që më 17 apo 18 korrik  ta kemi dhe vlerësimin e BE-së i cili do të jetë pozitiv”, tha Haradinaj.

Por ai tha se edhe nëse do të ketë raport pozitiv nga BE-ja nuk kryhet puna e liberalizimit pasi që është edhe Parlamenti Evropian janë edhe Qeveritë e shteteve veq e veq.

“Është një proces i rëndë. Të jemi të kujdesshëm deri në cak. S’besoj që këtu humb dikush. S’është meritë e kësaj Qeverie por e një procesi të gjatë. Do ta kemi një vendim pozitiv, por nuk është kryer puna aty”, tha Haradinaj.

Kryeministri u pyet edhe për takimin me krerët e Listës Serbe për të cilët tha se shqetësimet e tyre janë sa i përket sigurisë ndërsa shtoi se Qeveria nuk e ka problem mungesën e tyre pasi që siç tha Haradinaj “proceset ecin, ata po humbin për vete”.

Kryeministri  ka folur edhe për largimin e pjesëtarëve serbë nga FSK-ja ku tha se nuk do të lejojnë që askush t’i kërcënojë pjesëtarët e FSK-së.