13:48 / E Hënë, 20 Gusht 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Gjuha shqipe meriton të njihet nga shumë studiues të botës

“Në kohërat e errëta të jetës tonë, një dritë e shqipes është shpërndarë nga këtu në botë, dhe atë jo nga ne, por nga ata që kanë ardhur të njohin më për së afërmi dhe të transmetojnë shqipen dhe shqiptarët te popujt tjerë”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në hapje të Seminarit të 37-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Në këtë seminar, në të cilin po marrin pjesë seminaristë nga e mbarë bota, kryeministri Haradinaj tha se shqiptarët kudo që janë çdoherë dhe gjithë jetën u janë mirënjohës studiuesve të huaj të shqipes, atyre që kanë ardhur dhe kanë qëndruar me ne, që janë njoftuar me shqipen e shqiptarët dhe i kanë njoftuar të tjerët me shqipen dhe shqiptarët.

“Nuk është kohë e lëvdatave të mëdha, meqenëse shqipja dhe shqiptarët kanë vështirësitë e zhvillimit të vet, qoftë si gjuhë, qoftë si kulturë, qoftë si komb, në rrethanat nëpër të cilat po kalojmë, por një gjë nuk ka ndryshuar, jemi vlerë universale, i takojmë këtij globi. Gjuha jona është prej më të hershmëve në botë dhe njëkohësisht është e pasur dhe si e tillë e meriton që ta njohin më shumë, meriton që sa më shumë studiues ta njohin për së afërmi”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e vendit, jo vetëm tash, por çdoherë duhet t’i jep përkrahje seminarit të gjuhës shqipes dhe të gjithë atyre që e bëjnë të mundur që shqipja dhe shqiptarët të njihen për së afërmi nga studiuesit nga e mbarë bota.

Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, tha se ka qenë një rrugëtim i vështirë me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë.

Ajo më tej, tha se falë miqve tanë seminaristë, albanologjia vazhdon të studiohet dhe të mësohet në Pragë, Kozencë, Shën Petërburg, Sofje, Mynhen, Napoli, e shumë qarqe të tjera botërore.

“Investimi në një seminar si ky i yni është investim në ardhmërinë e një shteti”, tha dekanja Rugova, duke theksuar se dyert e Fakultetit të Filologjisë janë të hapura për të gjithë seminaristët ngado që vijnë.

Ministrja e Arsimit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se në gjithë këtë rrugëtim përmes studimeve dhe hulumtimeve keni treguar se si një popull duhet të nxjerrë në pah të dhe mbrojë gjithë shenjat dhe burimet e veta shpirtërore për atë çka jemi, për gjuhën, kulturën, historinë, letërsinë, folklorin, identitetin tonë.

Drejtori i Seminarit të 37-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Rrahman Paqarizi, foli për punën dhe angazhimin e të gjithëve që është bërë në përgatitjen dhe mbajtjen e seminarit, duke thënë ju seminaristë të dashur jeni shtylla kurrizore e seminarit e arbëreshët tanë të dashur janë shpirti dhe emblema e tij.

Ai kujtoi punën që kanë bërë figurat e ndritura të albanologjisë Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Zejnullah Rrahmani, profesor Imri Badallaj, Sabri Hamiti dhe studiuesit e tjerë.

Para të pranishmëve një fjalë e mbajti edhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, prof. Sabri Laçi.