18:05 / E Mërkurë, 02 Maj 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Jam i pakënaqur që policët s’u gjetën, i madh e i vogël po presim lajm

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka arritur tashmë te lumi Lepenc, ku të shtunën dy policë ranë me veturë dhe akoma nuk u janë gjetur trupat.

Haradinaj po shikon nga afër kërkimet e ekipeve që po punojnë për gjetjen e dy policëve tash e pesë  ditë, raporton Indeksonline.

Ai ka thënë se është i pakënaqur që ende nuk janë gjetur dy policët.

“Të gjithë në Kosovë janë të mërzitur. Ushtria, FSK-ja është duke e bërë punën e vet, njësitet e kërkimit, zhytësit, i madh e i vogël janë këtu. Janë bërë disa ditë, uji është i rrëmbyeshëm, dhe me këtë shpejtësi që ka uji, mund t’i ketë nxjerrë jashtë Kosovës. I kisha bë të fala edhe një zhytësi që po thotë se jam me emër. Kemi bërë bisedë me kabinetin e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev për kërkimin e policëve”, ka thënë Haradinaj.

Për të bërë më të lehtë kërkimin, dy hidrocentrale kanë bllokuar furnizimin me ujë, në mënyrë që niveli i ujit të bie.

Me Haradinajn janë parë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ai i FSK-së, Rrustem Berisha, ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë së Kosovës, Naim Rexha si dhe kreu i FSK-së, Rrahman Rama.

Kujtojmë se dy policët Malësor Dashi dhe Armend Trena dyshohet se përfunduan në lumin Lepenc pas një aksident trafiku i cili sipas policisë ndodhi në mbrëmjen e së shtunës që e lamë pas, në rrethana ende të panjohura në magjistralen Kaçanik- Han i Elezit.