16:13 / E Enjte, 26 Prill 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Kontrata për Termocentralin e ri nuk u bë nga kjo Qeveri, ajo ekziston qe 10 vjet

Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar “Deputetët e Pavarur”, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re” të nënshkruar me 20 dhjetor 2017.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se këtë kontratë e ka gjetur të gatshme vetëm e ka shtyrë përpara.

“Kjo kontratë ka pasur 10 vjet që qëndron në sirtar. Unë e kam gjetur në tavolinë dhe pastaj e kam shtyrë atë proces”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, ky është një investim strategjik që krijon siguri të furnizimit me energji elektrike në vendin tonë.

“Ne si qeveri llogarisim se më mirë është të investohet në kapacitete të reja sesa të investohet në renovim të termocentraleve të vjetra”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt, me këtë investime, Kosova nuk do të varet më nga importi i energjisë.

„Ne nuk mund të mbesim vetëm duke blerë nga jashtë. Një Kosovë që ka qenë e varur ndaj të atyre që kanë prodhuar energji, tani kthehet në vend që prodhon energji“, ka thënë Haradinaj.