16:23 / E Martë, 15 Maj 2018 / indeksADMonline

Haradinaj nuk mendon për reformatim të qeverisë

​Qeveri të ndryshme të Kosovës kohë pas kohe bënin të zëshëm mundësinë e riformatimit të qeverisë.

Por një gjë e tillë nuk mendohet të ndodhë në Qeverinë Haradinaj. Madje tani për tani nuk mendohet se ndonjë prej ministrave të cilët janë në udhëheqje e sipër mund të dështojnë.

Të kontaktuar nga Indeksonline lidhur me atë se a pritet të ketë reformë brenda Qeverisë së Kosovës, një gjë e tillë është mohuar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po i kryen detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore me përkushtim dhe përgjegjësi të shtuar, së këndejmi nuk ka asnjë propozim për ndërrim ministrash apo riformatizim”, ka thënë Donjeta Gashi nga Zyra për Informim në Qeverinë e Kosovës.

Por që sipas saj gjithnjë ekziston edhe mundësia për dorëheqje apo shkarkim nga detyra.

“Në rast të dështimit të ndonjë ministri, natyrisht që në demokraci ekziston dorëheqja apo edhe shkarkimi nga detyra”, ka thënë Gashi.

Ndryshe vazhdimisht  njohës të ekonomisë kanë konsideruar se riformatimi i qeverisë kursen mjaft shumë buxhetin e shtetit të Kosovës.

Qeveria e tanishme e vendit ka gjithsej 21 ministri, dhe mbi 70 zv/ministra, të gjitha këto poste të cilat i kushtojnë qytetarëve të Kosovës. Nën udhëheqjen e Haradinajt, ka disa ministra të cilët janë nën aktakuza, të cilët nuk dihet nëse do të shkarkohen apo jo.

Lidhur me numrin e madh të zëvendësministrave Haradinaj është deklaruar se tashmë ka pranuar raportet e punës së tyre dhe se është i kënaqur me atë çfarë ka parë.

Njëkohësisht kryeministri Haradianaj pati thënë qartë se nuk ka asnjë ministër në kabinetin e tij për të cilin mund të thotë se nuk punon. Sipas tij, nëse e sheh që dikush nuk punon, ai do t’ia tregojë rrugën.

“Ne kemi shqetësim në ekonomi, në shëndetësi edhe pse po punohet shumë. Kemi shqetësime në rend dhe ligj. Ka shumë punë për t`u bërë. Por nuk kam asnjë ministër që mund të them që s’po punon. Besomëni që s`ka të bëjë me numra ,në momentin që një ministër s’punon i them ec bre bir ose bijë në shtëpi se s’po punon”, ka thënë ai./Indeksonline/