17:36 / E Enjte, 22 Shkurt 2018

Haradinaj: Suedia mbështetëse e parezervë e Kosovës drejt BE-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ish-kryeministrin suedez dhe bashkëkryesuesin e Këshillit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare (ECFR), Carl Bildt dhe një delegacion nga Suedia.

Zhvillimet e fundit politike në vend, proceset integruese euro-atlantike për Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, ishin temat që u diskutuan në këtë takim, në të cilin kryeministri Haradinaj fillimisht falënderoi ish-kryeministrin Bildt për ndihmën që shteti i tij i ka dhënë dhe vazhdon të jap për Kosovën.

Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova po përshpejton procesin e përmbushjes së Agjendës së Reformës Evropiane dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me qëllim të përafrimit me BE-në, me synimin që deri në fund të vitit të marr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në familjen evropiane. Ai tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në OKB është i rëndësishëm dhe do të kontribuonte në paqe dhe stabilitet jo vetëm për Kosovën, por edhe për tërë rajonin.

Ish-kryeministri suedez dhe bashkëkryesues i Këshillit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare (ECFR) , Carl Bildt, e uroi kryeministrin Haradinaj dhe popullin e Kosovës për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë dhe të arriturat brenda këtyre viteve. Ish-kryeministri suedez u interesua për zhvillime të ndryshme në Kosovë dhe në rajon. /Indeksonline/