16:58 / E Martë, 26 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Hasani: Në vitin 2018 mund të fillojnë investimet për zonën ekonomike në Gjilan

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) do të vazhdojë mbështetjen për prodhuesit vendorë, pasi vetëm në këtë mënyrë krijohen vende të reja të punës dhe ekonomi stabile.

Kështu ka deklaruar ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani në aktivitetin “Ditët  Bizneseve të Vogla 2017”, organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë, (KIESA).

Ai ka kërkuar nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri që të identifikojë një pronë në këtë komunë për zonë ekonomike, me qëllim që në vitin 2018 të fillojnë investimet për këtë zonë.

“Kërkuam nga kryetari zotëri Lutfi Haziri që të identifikojë një pronë, që ta shpronësojë apo ta kthejë në pronë komunale që të na japë mundësi që ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë të investojmë në atë zonë, sepse mendojmë që Gjilani ka nevojë për një zonë të tillë. Gjilani duhet të trajtohet më ndryshe sikur që u trajtua deri më tani ne jemi të interesuar që t’i sjellim Gjilani, natyrisht dhe zonën ekonomike jemi të gatshëm se nëse komuna i kryen detyrat e vete dhe i bëjmë apel kryetarit të komunës së sa më shpejt t’i kryejë procedurat që të na i mundësojë ne që edhe gjatë vitit 2018 të fillojmë investimet konkrete në Gjilan”, tha ai.

Sipas tij, bizneset duhet ta shohin Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë si partner bashkëpunimi për të gjetur një zgjidhje se si të bëhen këto biznese konkurrente me vende e rajonit.

Ai po ashtu tha se janë duke punuar në certifikimin e prodhimeve vendore që janë të destinuara për prodhim vendor.

Ministri Hasani shprehu përkrahjen për  bizneset edhe gjatë vitit të ardhshëm përmes subvencioneve dhe granteve konkrete.

Ndërkaq, drejtori i zhvillimit ekonomik në komunën e Gjilanit, Arben Zharku tha se përmes strategjisë së zhvillimit socio-ekonomik komuna ka shqyrtuar mundësinë e studimit të fizibilitetit për zonën ekonomike e Gjilanit, e cila parashihet të ndërtohet në fshatin Gllamë.

“Ne në kuadër të strategjisë së zhvillimit socio-ekonomik e kemi të paraparë këtë edhe zonën ekonomike tani jemi duke e shqyrtuar mundësinë e realizimit të studimit të fizibilitetit, për shkak se edhe në bazë të ligjit kërkohet një studim i fizibilitetit dhe atë që e kemi paraparë është diku në mes të Gllamës rruga për Bresalc që lidhet edhe autostradën e Gjilanit që lidhet me Prishtinën dhe është jashtëzakonisht një vend i përshtatshëm ku mund ta zhvillojmë këtë zonë”,  tha ai.

Ai tha se të gjitha dokumentacione e nevojshme për zonën ekonomike që janë në kompetenca të komunës së  Gjilanit do t’i ofrojë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, pasi kjo zonë ndikon jo vetëm në zhvillimin e bizneseve aktuale, por edhe në hapjen e bizneseve të reja.

Sipas tij, komuna e Gjilanit ka hartuar strategjinë për zhvillim socio-ekonomik lokal 2017-2021, dhe strategjinë për gratë ndërmarrëse, në të cilat janë paraparë të gjitha projektet që mund të ndikojnë në zhvillim ekonomik lokal.

Besjan Mustafa nga Agjensioni për Investime dhe Përkrahje për Ndërmarrjet në Kosovë, tha se shërbimet që ata i ofrojnë kanë të bëjnë me promovimin e produkteve të Kosovës në vendet ndërkombëtare përmes panaireve të ndryshme.

Mustafa tha se KIESA subvencionin 50 për qind të kostos për certifikim të produkteve vendore që janë të destinuara për eksport.

Ai po ashtu tha se të gjitha politikat, strategjitë që do të formulohet nga qeveria do t’i kenë parasysh interesin e bizneseve të vogla.

“Ne si KIESA subvencionojmë 50 për qind të kostos së certifikimit të produkteve tuaja të destinuara për eksport natyrisht edhe për shërbime, dhe njëkohësisht siç tha edhe ministri ofrojmë zgjerimin e kapacitetit të prodhuesve, pra subvencionim i kostos së makinerive prodhuese ose linjave prodhuese në fabrika e juaja ose në fabrikat përpunuese tuaja. Qeveria është zotuar që të zbatojë aktin evropian për biznes të vogël përmes KIESAS, thelbi i këtij akti evropian edhe pse nuk jemi anëtar të Bashkimit Evropian, por është e dobishme për ndërmarrjet kosovare, sepse thelbi i këtij akti evropian për biznes të vogël është që Qeveria e Kosovës zotohet se gjatë përpilimit të politikave, ligjeve, strategjive, udhëzimeve administrative gjithnjë pikë nisje do ta ketë nga interesi i bizneseve të vogla”, tha ai.

Gjatë këtij takimi  përfaqësuesit e bizneseve të vogla të  Gjilanit, kërkuan që të bëhen ndryshime në doganim të produkteve që importohen në Kosovë.

Ndërsa, ankesa të shumta pati edhe drejt operatorit të energjisë elektrike, duke thënë se KEDS po i plaçkit bizneset e vogla përmes ligjeve që po i krijon ZRRE-ja.

Ndryshe, aktiviteti “Ditët e Biznesit të Vogël 2017” do të vazhdojë edhe në komunat tjera të Kosovës.

Temat: