18:06 / E Premte, 20 Korrik 2018 / indeksADMonline

Haziri tregon kushtin e LDK-së për t’u futur në dialog!

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se niher duhet të ketë “Zgjedhje, mandej dialog”, duke komentuar mundësinë që subjekti më i madh opozitar të bëhet pjesë e fazës finale të bisedimeve me Serbinë.

Ai ka nënvizuar se koalicioni qeverisës e ka humbur legjitimitetin mëqë nuk përfaqëson shumicën e qytetarëve të vendit dhe se ka qenë gabim i madh tentimi për ta imponuar këtë format dialogu, pa e diskutuar siç duhet në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk është arritur konsensus për shkak të mossjelljes të procesit në kuvend. Aty mund të ndërtohet konsensus, ose të mosndërtohet konsensus. Por duhet vendosur përmbajtja, formati dhe gjithçka tjetër për dialogun. Në njëfarë mënyre është imponuar gjithçka dhe LDK-ja nuk e ka pranuar këtë gjë”.

LDK-ja beson që duhet institucionet e Kosovës t’i nënshtrohen legjitimitetit qytetar. Kjo koalicion qeverisës e ka humbur legjitimitetin”, ka thënë Haziri, njofton Klani.

Më tutje, nënkryetari Haziri thotë se qëndrimi i LDK-së është legjitimiteti para dialogut. Sipas qëndrimit të tij personal, jo i LDK-së, është që duhet të ulen dhe të zgjedhin  problemet territoriale.

“Serbia ka aspirata edhe në Lindje edhe në Veri. Në Kosovë po lansohet politika e frikës, edhe sot, sikur disa qeveri të tjera në të kaluarën, e kemi një qëndrim të tillë të frikës, nuk e di a është qëndrim i delegacionit të Kosovës, apo i disa individëve. Koalicioni kinse i vendimeve të mëdha po tregohet koalicion i frikacakëve”, ka përfunduar ai.