18:50 / E Premte, 04 Maj 2018 / indeksADMonline

Heroi që nxori Malsor Dashin, tregon pistat e dyshuara për Armend Trenën [Foto]

Albion Çollaku, rreshter i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte heroi që nxori gjatë ditës së djeshme trupin e pajetë të policit, Malsor Dashit, nga lumi Lepenc.

Çollaku, njëherësh është edhe specialist i njësitit të kërkim – shpëtimit të FSK-së nëpër ujëra.

Ai ka folur për pistat e dyshimit të cilat i kanë bërë sot ku besohet se mund të jetë polici tjetër, Armend Trena.

Në një intervistë për “Indeksonline”, Çollaku ka shpjeguar gjithë situatën që kanë bërë në këto pista të dyshuara  për kërkimin e trupit të pajetë të Trenës.

Ai thotë se kanë punuar kryesisht në ura që mos të ketë asnjë dyshim se ndodhet trupi në këtë pjesë.

“Pistat e vendit janë të dyshuara nëpër ura ku për shembull po është e pamundur të bëhet zhytja në këtë pjesë për shkak të mbeturinave dhe rrezikut në ujëra që ekziston. Por, tash ne kemi marrë iniciativë falë Bechtel-Enkas që po na ndihmon  dhe po na mbështet. Pra prej urës të parë vetëm kemi fillu t’i pastrojmë urat që do të thotë mundësia jonë është që urat të shkulen por është e pamundur se betoni që ekziston në këto ura është  diku disa metra të larta. Por, ne jemi duke shkuar me eskavator që me mujt me i pastru edhe pjesa  tjetër zhytëse atëherë  futen ata me litar nën urë nëse ka mbet diçka nën urë kjo është iniciativa jonë që nën urë ta humbim shpresën që është trupi aty. Pra mos ta mbajmë aty mendjen se dyshimi i trupit ekziston te njëra urë, edhe njëherë ne po dëshirojmë me pastru urën që mos të ketë dyshime se vërtet ekziston diçka aty”, ka thënë Çollaku për “Indeksonline”.

Kësisoj, ekipi i Indeksonline  ka qëndruar afër lumit Lepenc ku ka raportuar  se sot është bërë lirimi i urave nga mbeturinat ku dyshohet se mund të jetë polici kosovar, Armend Trena.

Pjesëtarë të FSK-së dhe policë si dhe shumë qytetarë të tjerë ishin barikaduar në lumin Lepenc.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajit, Agim Gashi ka thënë për Indeksonline se në kërkim po marrin pjesë të gjithë akterët që kanë marr pjesë deri më sot.

“Kemi rrethuar një lokacion që kemi pasur dyshime se mund të jep rezultate, por fatkeqësisht nuk kemi hasur në asnjë gjurmë. Nga ora 13:15, kanë filluar kërkimet prapë nga vendi i ngjarjes dhe tani jemi përqendruar në urat që janë në këtë teren, që i ka bërë Bectel Enka dhe po i kontrollojmë një nga një, duke shpresuar në rezultate”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, dje rreth orës 16:00, Njësiti i shpëtim-kërkimit të FSK-së, Policia si dhe me ndihmën e zhytësve tjerë është arritur që të gjendet trupi i pa jetë i policit, Malsor Dashi.  Varrimi i të ndjerit është bërë sot  në orën 16,  për të cilën u organizua ceremoni shtetërore dhe të pranishëm ishin shumë kolegë të tij e qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës./Indeksonline/Shkruan Ardian Beka.