23:05 / E Martë, 16 Janar 2018 / indeksADMonline

Hetimet për vdekjen e Ivanoviqit, vetëm nga Institucionet e Kosovës (Foto)

Institucionet serbe kanë bërë thirrje për përfshirjen e tyre në procesin e hetimit të vrasjes së kryetarit të Iniciativës Qytetare Serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq duke e quajtur këtë një akt terrorist, ka thënë se Serbia duhet të përfshihet në hetimin e kësaj vrasjeje.

Madje, siç raportohet nga mediat serbe, Prokuroria e Serbisë tashmë ka nisur hetimet paraprake për këtë vrasje.

Mirëpo, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se një gjë e tillë nuk do të jetë e mundur.

Në një prononcim për Indeksonline, ministri Tahiri ka thënë se hetimet për vrasjen e Ivanoviq do të kryhen vetëm nga institucionet e Kosovës, duke shtuar se Serbia mund të ndihmojë vetëm duke ofruar informacione, nëse ajo posedon ndonjë të tillë.

“Për zhvillimin e hetimeve janë institucionet e Kosovës ato që janë përgjegjëse e jo institucionet e shteteve fqinje. Çfarëdo informate që vije nga Qeveria e Serbisë që ndërlidhet me zbardhjen e vrasjes apo vënien e autorëve para drejtësisë është e mirëseardhur, mirëpo hetimet do të ndodhin vetëm nga institucionet e Kosovës”, ka deklaruar kreu i drejtësisë.

Sa i përket deklarimeve të zyrtarëve serb, Tahiri thotë se ato i ka parë vetëm nëpër media, pasi institucionet kosovare nuk kanë marrë ndonjë kërkesë zyrtare nga ana e tyre.

“Deri më tani institucionet e Kosovës nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga asnjë institucion qoftë i shtetit serb apo të ndonjë shteti tjetër të involvohet në këtë rast të vrasjes. Janë Institucionet e Kosovës ato që janë përgjegjëse për hetime dhe zbulimin e këtij rasti që autorët e kësaj vrasje të dalin para drejtësisë. Ato që kam parë i kam dëgjuar vetëm nëpër media, por zyrtarisht Institucionet e Kosovës nuk kanë marrë asnjë kërkesë zyrtarisht për këtë gjë”, ka deklaruar Tahiri.

Ndryshe, Ivanoviq u vra mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës përderisa luftoi me plagët e marra deri në ora 09:15, ku edhe u konfirmua vdekja  e tij./Indeksonline/