18:45 / E Premte, 18 Maj 2018 / indeksADMonline

Hib Petrol: Aktgjykimi nuk është i bazuar në prova

Kompania Hib Petrol është e shokuar nga vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe njëkohësisht të indinjuar që edhe një herë kompania e tyre  po bëhet viktimë e qëllimeve dashakeqe.

Sqarimi i Hib Petrol:

Ne deri sot kemi besuar në drejtësi dhe kontestet tona gjithmonë jemi munduar t’i zgjidhim përmes rrugëve ligjore.

Kontributin dhe sakrificën tonë për këtë vend e kemi dëshmuar me dekada por nuk do të pranojmë të bëhemi viktimë e kurrfarë qëllimi.

Nëse ne si një ndër kompanitë më të mëdha në vend, me mbi 1,000 të punësuar, ndihemi totalisht të pambrojtur në një vend ku drejtësia është e dirigjuar atëherë si ndihet një qytetar i thjeshtë?

Ne besojmë fuqishëm që aktgjykimi nuk është bazuar në prova kredibile ligjore, ndërkohë që kemi parë refuzim të vazhdueshëm në prezantimin e provave të palës mbrojtëse.

Me bindje të plotë theksojmë se Aktgjykimi i dhënë sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është vendim i marrë në bazë të asaj që është trajtuar në Gjykatë. Provat e administruara kanë dëshmuar të kundërtën. Por, fatkeqësisht Gjykata shpalli një aktgjykim të pabazuar në prova.

Ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore, dhe besojmë fuqishëm se kjo çështje do të ketë fundin e mirë me shpresën që edhe ky vend të fillojë të ketë drejtësi.