21:56 / E Premte, 11 Maj 2018 / indeksADMonline

Hiqeni “shokun”, ndryshe i bini kavallit !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti i thërret ithtarët e partisë së tij të re – shokë e shoqe. Këto ideologjizma të kujtojnë kohën e Stalinit, Enverit, Titos… Me shok e shoqe, dikur identifikohej burri dhe gruaja. Shqiptarët janë ngi me epitetet komuniste që të zgjojnë neverinë. Nëse dikujt i drejtohesh me shok, ai e merr për ofendim. Të përgjigjet: Unë për ty s’jam shok, jam zotëri. Këta të Edi Ramës, njëri tjetrin nuk e thërrasin shok, po zotëri ! ———————–

Liderit të LVV-së, Albin Kurtit i dolën prej doresh “ropt e shpijes”. Të dorëhequrit ia kthyen shpinën, formuan subjektin e ri politik – me emrin Partia Socialdemokrate. Përurimi i saj u bë jo rastësisht, më 9 maj, ditën e Europës. Kreu i social demokratëve, Shpend Ahmeti, ithtarët e partisë së tij i thërret: Shokë e shoqe. Kur e dëgjova retorikën e tij, më erdhi të qeshi. Thash: Kaq shpejt ndodhi metamorfoza e tij. Në vend se të ecën në hap me kohën, kthehet në “rikuerc”. Këto ideologjizma të kujtojnë kohën e Stalinit, Enverit, Titos…

Të kujtojnë kohën e marksist – leninistëve, të atyre që betoheshin në kokën e Enver Hoxhës. PSD-ja e Ahmetit mund ta ketë programin e fortë, të drejtë, ta çoj përpara shtetin. Por nëse ajo i ka ideologjizmat, shprehjet e së kaluares, shkakton neverinë te qytetarët. Shqiptarët janë ngie me “shokë e shoqe”, u ka ardhur te hunda. Madje, nëse dikujt i drejtohesh me shok, ai e merr për ofendim.

Të përgjigjet: Unë për ty s’jam shok, jam zotëri. Fjala shok – u – ë, – ët e ka kuptimin: Njeri me të cilin jemi lidhur me miqësi gjatë jetës, në një punë a në një veprimtari të përbashkët… E përdorim këtë shprehje në jetën e përditshme. Themi filanin e kam shok të mirë, shok të ngushtë. Kjo fjalë i përket sistemeve komuniste. Shoku Enver ! E thërrisnin kryekomunistin Enver Hoxhën, diktatorin e sëmurë, siç e ka cilësuar në “Spiritusin” e tij Ismail Kadare. Shoku Tito ! Kështu e quanin kryekomunistin jugosllav, Josip Broz Titon. Njerëzit e Partisë e të pushtetit i quanin shokë, shoqe. Ky epitetit i vihej burrit dhe gruas. Merre shokun/ shoqen, ejani mysairë, ju presim…

Ç’është ironia, gruaja identifikohej edhe me Jovankën e Titos. Shqiptari i Kosovës thoshte: Hajdeni mysafirë, merre edhe Jovankën me vete… Fjalori ynë i ka shprehjet ideologjike. Fjala PARTI, – A -TË përkufizohet: Organizatë politike e një klase a e një shtrese shoqërore të caktuar, që ka programin e statutin e vet dhe që lufton për të mbrojtur interesat e klasës…

Koha e një klase, klasës punëtore – ka përenduar. Rrojmë në shekullin 21 ! Të majtë janë këta të Edi Ramës, por njëri tjetrit s’i thonë shok, po zotëri. Si partinë e Ahmetit, PSD-në, e ke në Gjermani. Edhe gjermanët bashkëpartiakët e tyre i thërrasin “herr” (zotëri). Ju të partisë së Ahmetit, nëse doni të notoni në politikë – hiqeni “shokun” ! Ndryshe, i bini kavallit !