11:50 / E Martë, 03 Prill 2018 / indeksADMonline

Histori prekëse! Pas 24 vitesh gjen vajzën e humbur (Foto)

Një baba është bashkuar me vajzën e tij pasi kishte 24 vjet që e kërkonte.

Wang Mingqing i palodhur për ta kërkuar kishte nisur punë si taksist me shpresën se mund ta merrte si pasagjerë një ditë të bijën.

Por ka qenë e bija që është vënë në kontakt me të, pas një postimi online që kishte bërë i ati.

Historia e mrekullueshme ka ndodhur në Kinë, ku të dy u takuan të martën. Vajza e tij, Qifeng, u zhduk kur ishte vetëm tre vjeçe, sipas një interviste që ai ka dhënë për mediat në Kinë.

Ai dhe shoqja ishin shitës frutash dhe një ditë teksa kishin mbaruar punën kuptuan se vajza nuk ishte me ta

Ata kaluan vite duke kërkuar për të në zonën përreth, lajmërime në gazeta, njoftime nëpër shtylla dhe kërkime online, transmeton tch. Çifti, të cilët kanë edhe një vajzë tjetër, nuk e lanë kurrë qytetin Chengdu, ku jetojnë, me shpresën se një ditë Qifeng do të kthehej.

Në 2015, Wang vendosi të punonte si taksist, me shpresën se do e gjente. Çdo pasagjeri ai i jepte një letër me informacion të vajzës nëse ata kishin të dhëna për vogëlushen e tyre. Ai nuk ka pasur foto të të bijës kur ka qenë e vogël, kështu që përdorte foton e vajzës tjetër pasi ngjanin shumë.

Metoda e tij unike mori vëmendjen e medias kineze. “Një ditë, vajza ime mund të jetë personi që ulet në makinën time”, ka thënë ai.

Pas vitesh kërkimesh, një skicues e ndihmoi duke i bërë një portret se si mund të ishte Qifeng sot, dhe kjo e ndihmoi mjaft. Mijëra kilometra larg tij, një vajzë e pa skicën e bërë nga artisti dhe u shokua nga ngjashmëria që kishte. Ajo kontaktoi me Wang, të cilit i tha se kishte mjaft ngjashmëri me përshkrimin e vajzës së tij të humbur, përfshi një shenjë në ballë dhe që villte sa herë qante.

Ata vendosën të bëjnë testin e ADN-së që doli pozitiv. Raportimet kineze thonë se Kang Ying, kështu quhej tani Qifeng, ishte rritur në një qytet rreth 20 km larg vendlindjes, por nuk dha detaje se si përfundoi e ndarë nga prindërit e saj.