10:36 / E Enjte, 19 Korrik 2018 / indeksADMonline

Historia e dy të arrestuarve mbrëmë nga Policia e Kosovës (Foto)

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dje ka arrestuar në Prishtinë tre meshkuj shtetas të huaj dhe një femër kosovare, të dyshuar për vrasje e kidnapime të kryera në Mal të Zi.

Në mesin e të arrestuarve ishte edhe i shumëkërkuari, Mario Millosheviq (38), i cili dyshohet për vrasjen e Radomir Durickovic në Cetinje gjatë vitit 2016.

Bashkë me Mairon në një apartament në lagjen “Kalabria” në Prishtinë ndodhej edhe Djordje Pavicevic (31) nga Nikshiqi i cili raportohet se kishte ikur në fillim të këtij muaji nga një spital ku po vuante dënimin me burg për kidnapim të një personi, rast i ndodhur në Kotor gjatë vitit 2015.

Ekipi i Indeksonline dje ka qëndruar gjatë gjithë kohës bashkë me pjesëtarët e Njësisë Speciale teksa kanë kryer këtë operacion të gjerë e që është njëri ndër më të suksesshmit kohët e fundit.

Policia e Kosovës është në kërkim edhe të dy të dyshuarve tjerë, porse të njëjtit nuk janë hasur në ndërtesën ku janë kapur Millosheviq e Pavicevic.

Policia në banesën e dy të arrestuarve ka gjetur edhe armë zjarri, municione e lëndë narkotike.

Në lidhje me arrestimet e personave të kërkuar nga Interpol, është njoftuar Prokuroria e Shtetit ndërsa ende nuk dihet nëse të njëjtit do të mbahen në paraburgim në Kosovë apo do të ekstradohen në Mal të Zi./Indeksonline/