13:08 / E Hënë, 25 Qershor 2018 / indeksADMonline

Holanda bllokon Shqipërinë për negociatat

Holanda ka bllokuar hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi vendi ka dështuar në zbatimin e reformës në drejtësi, duke bërë të paqartë se kur do të ketë një datë për hapjen e negociatave, shkruan Bussines News.

Këshilli Europian do të vendosë në 28-29 Qershor se nëse do të hapen bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë, bazuar në progresin e këtyre vendeve dhe përmbushjen e detyrimeve të vendosura nga BE. Shqipëria është vend kandidat që nga 2014, ndërsa Maqedonia që nga 2005. Gjithsesi, parlamenti hollandez në 21 Qershor vendosi të mos e mbështesë hapjen e negociatave me Shqipërinë, pasi miratoi një rezolutë të nënshkruar nga shumë deputetë, sipas të cilës Shqipëria nuk i kishte përmbushur pesë prioritetet e duhura për hapjen e negociatave.

“Nuk ka hetime penale në reformën e drejtësisë, që godasin korrupsionin dhe krimin” thuhej në këtë deklaratë, raporton Bussines Neës. Në të njëjtën kohë, Hollanda do të hapë dritën jeshile për Maqedoninë që të hapë negociatat, pasi parlamenti i këtij vendi ka firmosur një marrëveshje historike me Greqinë për çështjen e emrit.

Në anën tjetër, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati po merr pjesë në takimin e Miqve të Shqipërisë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, një iniciativë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias.

Në takim morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Suedisë, Rumanisë, Polonisë, Bullgarisë, Maltës, Qipros si dhe vende të tjera anëtare të BE-së dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Ministri Bushati falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe u shpreh se ky takim është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar me progresin e bërë. Ministri Bushati nënvizoi hapat që ka ndërmarrë Shqipëria përmes reformave të guximshme për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe plotësimin e pesë prioriteteve në kuadrin e perspektivës së anëtarësimit në BE.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe shtoi se hapja e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë është vendim i drejtë dhe në interes të dyanshëm./lapsi.al