10:06 / E Enjte, 16 Gusht 2018 / indeksADMonline

Hoti fajëson Thaçin për thellimin e mosmarrëveshjeve në spektrin politik

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka vlerësuar se mosmarrëveshjet në spektrin politik në vend janë shtuar dukshëm kohëve të fundit.

Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se shkak për këtë janë propozimet sipas tij, kontraverse dhe çorientuese të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i Hotit:

Para se t’i normalizojmë raportet me Serbinë, gjë që është synim dhe përcaktim yni i koordinuar edhe me bashkësinë ndërkombëtare, së pari duhet të kemi institucione normale demokratike të një shumice solide dhe funksionale në Kuvend. Pa e tejkaluar këtë mangësi, që po prodhon defekte në politikbërje, ne vetëm do të zhytemi edhe më shumë në gjendje jo normale juridike dhe politike.

Mosmarrëveshjet në spektrin tonë politik janë thelluar kohëve të fundit, sidomos nga propozimet kontraverse dhe çorientuese të Presidentit Thaçi. Ato nuk mund të tejkalohen me këtë mungesë korrektësie në qasje e komunikim.

Marrëveshjen politike duhet ta arrijmë gjithsesi përbrenda institucioneve, por vetëm kur ato vishen me legjitimitet demokratik dhe ta kenë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës të shprehur me votën e lirë. /Indeksonline/

Temat: