21:22 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

Hoti: Kosovës i duhet unitet politik në bisedimet me Serbinë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se platforma e qeverisë së Kosovës për bisedimet me Serbinë e sjellë në kuvend, është krejt tjetër në krahasim me atë që ishte vite më parë.

“Drafti që na ka ardhur në Kuvend është dokument shumë i dobët. Nuk ka parime. Qëndrimi ynë është kundër, si LDK jemi kundër platformës”, tha Hoti sonte në “Intervista me Blerimin”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij nëse është qëllimi për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë duhet të kemi parime. “Nëse platformës i duhen 61 vota, nuk ka nevojë për LDK-në. Problemi është edhe uniteti brenda koalicionit qeverisës. Në proceset e mëdha duhet të kemi unitet”, tha ai.

Hoti vlerësoi se Kosova është me fat që ka partner ShBA-në dhe vendet e tjera.

“Jemi me fat që edhe procesi i Serbisë është kushtëzuar për integrime evropiane”, tha ai. Sipas tij Kosova ka bërë shumë kompromise. “Kompromisi është kushtetuta e Kosovës. Tani t’u kërkohet qytetarëve se duhet të kemi kompromis, kush e merr atë përgjegjësi”, tha Hoti.