14:31 / E Hënë, 06 Gusht 2018 / indeksADMonline

Hoti sulmon ashpër Mustafajn: “Berisha të shkarkoi pasi Amerika ia kërkoi”

Rexhep Hoti, nënkryetar i PDK-së njëherit Koordinator Nacional për Kulturë, Rini i është bashkuar debatit që ndodhi ditë më parë në rrjetet sociale në mes të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha rreth çështjes së korrigjimit të kufijve.

Kësisoj Hoti ka sulmuar ashpër ish-shefin e diplomacisë shqiptare, Besnik Mustafaj pasiqë ky i fundit kishte deklaruar  se me qëndrimet që Presidenti i Kosovës po mban për korrigjim të kufijve me Serbinë po mbron interesat e Beogradit.

Hoti ia ka përmendur Mustafajt edhe  kohën kur planifikohej vizita e presidentit amerikan Xhorxh Bush në Shqipëri për të kumtuar  lajmin e Pavarësisë së Kosovës,

Sipas nënkryetarit të PDK-së, “Shqipërisë iu kërkua pa ekuivokë që kjo vizitë nuk mund të ndodhte duke qenë Besnik Mustafaj Ministër i Punëve të Jashtme”.

“Deri këtu kishin vajtur punët me poetin e idilikës shpellare!? Madje, shtetit shqiptar do t’i bëhej e qartë se ai nuk do të mund të ishte në asnjë ceremoni ku do të ishte Presidenti i SHBA-ve. Natyrisht se kryeministri Berisha e largoi poetin prej diplomacisë, nën arsyetimin e “lodhjes personale”, sepse dukej se Mustafaj kishte folur aq shumë me Beogradin, saqë ishte bërë thjesht i pështirë për diplomacinë amerikane dhe absolutisht i papranueshëm për Pavarësinë”, ka shkruar ai, transmeton Klan Kosova.

Postimi i plotë i Rexhep Hotit:

Në një përgjigje ndaj një akademiku të Republikës së Kosovës isha deri në fund i kujdesshëm që mos të sjellja faktet brutale për një personalitet që në veprat e jetës së vet ka lënë prapa edhe veprime të liga ndaj atdheut dhe njerëzve të tij. Është e kuptueshme që për afro njëqind vjet të sundimit serb e jugosllav në Kosovë, pushtuesi të këtë ndërtuar edhe mjete e mekanizma së bashku me mbesat, nipat, dhëndurët e të vejat nga Ankaraja e Anadolli përgjatë kësaj kohe, me të cilët e mbajti nën këmbë Kosovën. Ata që ende janë gjallë duken gjithandej. Edhe sot e këtë ditë kanë detyrimet e veta. Pavarësisht kësaj ane të njohur të medaljes mbi një debat publik, më pas fillon edhe aspekti i njerëzve me brengë reale, sado të mençur apo naivë që mund të jenë. Por, brenda kësaj të hallakatmë janë tipat groteskë, të cilët të vërtetat e përbotshme i shprehin si të pavërteta të thjeshta. I tillë u paraqit edhe Besnik Mustafaj i “Zërit të Popullit”, me një intervistë në “Panorama”, i cili – për ta mbrojtur Doktorin e për ta sulmuar Hashim Thaçin – e bëri tregtinë e naftës së Doktorit me Serbinë në kohën kur Sllododan Millosheviq ushtronte dhunë, terror e gjenocide në Kosovë, si të paqenë. Kjo e vërtetë tashmë është bërë pikë reference e shumë librave seriozë botërorë. Madje, zë peshë edhe në memoaret e kulmit të eminencës se diplomacisë botërore. Por, Doktori, bëri edhe punë të mira për Shqipërinë. Po! Vetëm një mendje e pambërthyer si ai, e dalë egërsisht nga diktatura, mund ta bënte Rrugën e Kombit. Sepse shqiptarët e Shqipërisë diktatoriale nuk ishin rritur ende mendërisht dhe shpirtërisht për investime të tilla kolosale kombëtare. Ata ishin aq të etur për kamje personale dhe ego sa nuk mund të bënin dot një hesap të thjeshtë pa pasur diçka në qesen e tyre. Megjithatë, po ky Doktori i rrahu intelektualët shqiptarë shesheve të Shqipërisë barbarisht dhe burgosi Komandantin Legjendar dhe shumë të tjerë me radhë. Mirëpo, kështu nuk menduaka poeti me idilik shpellar, z, Besnik Mustafaj! E pse të mendojë?! Poet i cili nuk linte vend të Europës pa deklaruar sa ishte Ministër i Jashtëm i Shqipërisë se Kosova duhej të merrte Pavarësi të Kushtëzuar, në kohën kur për të ishte vendosur realisht Pavarësia e Plotë. E vërteta në lidhje me poetin dhe ish-Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Besnik Mustafajn, është shumë serioze, shumë e rëndë, shumë e mjerë. “Komunikimi” me Beogradin ishte pika me e zezë e mundshme në karrierën e tij sa ai ishte Ministër i Punëve të Jashtme. Punët kishin vajtur gjer aty se në kohën kur planifikohej ardhja e Presidentit Amerikan Xhorxh Bush në Shqipëri për të sjellë lajmin e Pavarësisë së Kosovës, Shqipërisë iu kërkua pa ekuivokë që kjo vizitë nuk mund të ndodhte duke qenë Besnik Mustafaj Ministër i Punëve të Jashtme. Deri këtu kishin vajtur punët me poetin e idilikës shpellare!? Madje, shtetit shqiptar do t’i bëhej e qartë se ai nuk do të mund të ishte në asnjë ceremoni ku do të ishte Presidenti i SHBA-ve. Natyrisht se kryeministri Berisha e largoi poetin prej diplomacisë, nën arsyetimin e “lodhjes personale”, sepse dukej se Mustafaj kishte folur aq shumë me Beogradin, saqë ishte bërë thjesht i pështirë për diplomacinë amerikane dhe absolutisht i papranueshëm për Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ky është Besnik Mustafaj, e nderuara Shqipëria ime! Ky është poeti Mustafaj.