13:24 / E Hënë, 14 Maj 2018 / indeksADMonline

Hoti: Tryezat po i bëjmë për të caktuar datë të zgjedhjeve

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur një tjetër tryezë, këtë herë me shoqërinë civile. Në këtë tryezë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka numëruar dështimet e Qeverisë “Haradinaj”, mungesën e shumicës qeveritare, ndërsa ka thënë se partia e tij ka iniciuar tryezat me partitë e tjera për të caktuar datën e zgjedhjeve

Ai në tryezën e LDK-së me organizatat joqeveritare, ka thënë se qëllimi i kësaj tryeze është të diskutojnë për sfidat me të cilat po përballet Kuvendi në realizimin e mandatit.

” Emërimi nga 5 zëvendësministra, falja e borxheve për prodhuesit e ujit iniciativa për shfuqizimin e dhomave të specializuara dhe dëbimi i dhunshëm i 6 shtetasve turq. Gjatë kësaj periudhe ne si LDK jemi munduar të bëjmë një opozitë të fuqishme”, ka thënë Hoti.

“Në disa raste si GP në opozitë kemi marrë në përgjegjësi t’i përkrahim marrëveshjet shtetërore, kemi punuar në interes të shtetit”, ka thënë tutje ai.

Hoti shtoi se LDK e vlerëson se ka dështuar të vë kontrolli demokratik i kuvendit karshi qeverise.

“Pa një shumicë qeveria e vendit s’ka legjitimitet me vazhduar. Kanë filluar të dështojnë dhe mbledhjet e qeverisë. Kryeministri ka dështuar se nuk ka kontroll mbi ministra dhe institucionet. Ministrat marrin vendime mbi interesat personale. Kryeministri ka filluar të dal në terren pa kompetence për të premtuar themelimin e komunave të reja. Kemi iniciuar tryezat e partive politike me të vetmit qëllim që të caktohet data e zgjedhjeve. Përmes tryezave i kemi dhënë mundësi dialogut dhe gjërat të qartësohen”, tha ai.