Hoxha falënderon Fajonin për deklaratën e saj për liberalizimin e vizave
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Tanja Fajon, sot, ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur kriteret e fundit për liberalizim të vizave për qytetarët e saj, duke rekomanduar fuqishëm mbështetjen e saj për këtë proces, dhe inkurajon Komisionin Evropian të jap vlerësimin e saj për progresin sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha e cila ka theksuar se e “falënderon Fajon që e rikonfirmoi se janë përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave nga institucionet tona”.
Ministrja Hoxha, ka theksuar po ashtu “ne nuk do të ndalemi së punuari, deri sa nuk bëhemi pjesë e pandashme e vlerave euro-atlantike”.
Këtu është postimi i plotë i Ministres Hoxha, në rrjetin social:“Falënderoj Fajon që e rikonfirmoi se janë përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave nga institucionet tona, gjë të cilën e kemi deklaruar vazhdimisht.
Shpreh edhe një herë respekt të thellë për Fajon dhe dashamirët e Republikës së Kosovës që përkrahin liberalizimin e vizave dhe procesin integrues!
Ne nuk do të ndalemi së punuari, deri sa nuk bëhemi pjesë e pandashme e vlerave euro-atlantike!”