17:18 / E Martë, 04 Shtator 2018 / indeksADMonline

Hoxhaj fton të gjithë deputetët që ta votojnë Ekipin e Unitetit për dialog

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e paraparë të nis në orën 16:30 është shtyrë që e njëjta të nis pas dy orë vonesë, pra në 18:30. Pas kësaj, në holl të legjislativit po deklarohet përfaqësues të ndryshëm të grupeve parlamentare.

Ndër ta, është edhe anëtari i Ekipit negociator për bisedimet me Serbinë,  Enver Hoxhaj njëherësh edhe deputet i PDK-së, i cili  ka treguar qëndrimin e partisë së tyre sa i përket seancës së sotme.

Hoxhaj  në emër të partisë së Kadri Veselit ka ftuar të gjithë deputetët që t’a determinojnë epiligon që sipas tij, përcaktohet nga vullneti i qytetarëve të Kosovës.

“Në një proces të tillë  ne duhet të shkojmë me një strategji, po ashtu duhet të dimë temat të cilat do t’i bisedojmë me Serbinë” , ka thënë Hoxhaj, transmeton Indeksonline.

Më tutje, ai ka theksuar se deputetët duhet të arrijnë  një marrëveshje e cila do të duhet të miratohet në Këshill të Sigurimit.

Ndërsa, Hoxhaj ka folur edhe rreth asaj se pse është vendosur seanca e re, para asaj që ishte paralajmëruar nga opozita për territorin e Kosovës.

“Historikisht jemi ul në negociata me Serbinë, çdo kush që e donë vendin duhet ta din se beteja e mirëfilltë është se si ti bindim kundërshtarët e Kosovës me qëllim që në të ardhmen në Këshill të Sigurimit të votohet marrëveshja që e tash e disa vite e ka lënë Kosovën prapa. Kjo temë është diskutuar në javën e fundit, anëtarët e PDK-së, Haradinaj, Pacolli e të tjerët kemi biseduar se si të duhet ky ekip negociator, nuk ka pasur dallime në përbërje”, ka  shtuar ai.

Në fund, ai ka porositur të gjithë që të votohet Ekipi negociatorë sepse sipas tij, është ekip që shtetin e Kosovës e dërgon përpara drejt një arritje të marrëveshjes me  Serbinë.

Ndryshe, në këtë seancë pritet të votohet ekipi negociator për bisedime me Serbinë në Bruksel./Indeksonline/