20:51 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Hoxhaj: I kemi votat e mjaftueshme për ratifikimin e demarkacionit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj duke folur në lidhje me seancën e nesërme për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, ka thënë se qeveria i ka votat e mjaftueshme për miratimin e kësaj marrëveshjeje.

Hoxhaj nuk e përjashtoi as mundësinë e negociimit me deputetë individualë nga të gjitha partitë politike.

Sa i përket Listës Serbe, Hoxhaj shprehu besimin se një pjesë e deputetëve të kësaj partie do ta votojnë marrëveshjen.

Ai foli për liberalizimin e vizave, gjë që është kushtëzuar tash e tre vite me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit. Hoxhaj tregoi një rast personal ku tha se ka shkuar për ngushëllime tek një familje dhe njëri nga familjarët e ka lutur që t’ia sigurojë një vizë për ta vizituar Slloveninë për një cështje shëndetësore.

Hoxhaj tregoi se i është dashur personalisht ta lusë ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë për t’ia siguruar një vizë qytetarit në fjalë.

Me këtë shembull, Hoxhaj tha se lëvizja e lirë e qytetarëve është e drejtë fundamentale e tyre, dhe theksoi se është e padrejtë që qytetarët të mbesin peng i proceseve politike, sic ka qenë rasti me demarkacionin./Indeksonline/