17:04 / E Diele, 04 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Hoxhaj i përgjigjet Daçiq: Normalizimi nuk ndodh pa anëtarësimin e Kosovës në OKB

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj deklaratave të mbrëmshme të ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se nuk ka shansa që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Hoxhaj deklaroi se diskursi politik destruktiv nga ana e liderëve të Serbisë në rënd të parë, e vë në rrezik dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, mes Kosovës dhe Serbisë.

Hoxhaj tha se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk mund të normalizohen pa anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, ashtu sic edhe pajtimi mes popujve është i pamundur pa njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë.

“Diskursi destruktiv i liderëve të Serbisë, dëmton dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëdhëniet mes dy shteteve nuk mund të normalizohen pa anëtarësimin tonë në OKB, ashtu siç nuk mund të ndodh pajtimi mes popujve pa njohjen e ndërsjellët”, ka shkruar Hoxhaj.

Këto komente Hoxhaj i bëri në llogarinë e tij në Twitter, pasi kryediplomati serb, Ivica Daciq tha se është turp t’i kërkohet Serbisë ta njohë Kosovën dhe se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur.