13:36 / E Shtunë, 12 Maj 2018 / indeksADMonline

I pari i Kaçanikut i mbron uzurpatorët, nuk ua publikon emrat siç kishte premtuar

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, po e mban në sirtar listën e shfrytëzuesve të pronave komunale dhe atë të uzurpatorëve të këtyre pronave. Këto dy lista kanë qenë gati prej muajsh, por ato nuk e kanë parë dritën e publikimit ende.

I pari i Kaçanikut, në nëntor 2017 në debatin për balotazh ku garonte kundër kandidatit Basri Kodra nga Vetëvendosje, pati dhënë premtime për transparencë që do të bëhet e menjëhershme dhe deri në tre muaj

Njëri nga këto premtime të Ilazit ka qenë publikimi i listave të shfrytëzuesve të pronave komunale që sipas tij do ta bëjë në tre muajt e parë të punës së tij.

“Listën e shfrytëzuesve të pronave komunale e kemi dhe besoj që në tremujorin e parë do ta publikojmë edhe atë”, pati deklaruar Ilazi në debatin për balotazh në “Jeta në Komunë”.

Por nga nëntori 2017 kur Ilazi ka filluar punën, e deri më sot kanë kaluar gjashtë muaj,  lista e shfrytëzuesve të pronave komunale në Kaçanik nuk është publikuar në faqen zyrtare të Komunës.

Ilazi po ashtu pati premtuar që në tremujorin e parë të punës së tij do të publikojë edhe listat e uzurpatorëve të pronave komunale dhe borxhlinjve.

“Ne i kemi evidentuar të gjitha pronat e Kuvendit Komunal dhe uzurpatorët janë pjesë e asaj ku do të evidentohen. Do t’i qesim në faqen e komunës në tremujorin e parë”, pati thënë Ilazi.

Por as këtë premtim Ilazi nuk e ka përmbushur meqë në faqen zyrtare të Komunës së Kaçanikut nuk ka asnjë listë ku evidentohen personat që kanë uzurpuar prona komunale dhe ata që janë borxhlinj të komunës.

Ilazi po ashtu pati premtuar se do të publikojë edhe listën e dhënies së lejeve të ndërtimit në faqe të Komunës së Kaçanikut, por që deri më sot nuk figuron asnjë listë e tillë.

Zyrtarja për Informim në Komunën e Kaçanikut, Fatmire Guri për kallxo.com ka thënë se premtimet e kryetarit Ilazi janë në përpunim për t’u futur në faqen zyrtare të komunës.

“Nuk e di a jeni të informuar, por tash kemi faqen e re të Komunës. Jemi duke punuar për të futur të dhënat për shkak se ministria i ka qit të reja. Zyrtari i IT-së së komunës që e ka përsipër futjen e të dhënave është në pushim për momentin. Jemi në proces të përpunimit të dhënave për shkak se ka dalë faqja e re e Komunës”, tha Guri.