21:44 / E Hënë, 19 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Incidenti në Drenas, gjykata shqipton masën e paraburgimit për 7 persona [Dokumente]

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka marrë vendim për masën e paraburgimit të Skender Gjelit (1960) nga Likoshani i Drenasit, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë në tentativë, mbajtje në pronësi të paautorizuar dhe pa leje të armës, si dhe Halit Topallit, Shaip Topallit, Mendrit Topallit, Fadil Topallit, Arbenit Topallit dhe Lirim Topallit nga Baica e Drenasit për veprën penale lëndim i rëndë trupor gjatë incidentit që kishte ndodhur me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës në Drenas.

Incidenti ka ndodhur për shkak të mos marrëveshjeje të mëhershme ndërmjet dy familjeve.

I dyshuari Skënder Gjeli ka shtënë me armë zjarri dhe ka plagosur Mendrit Topallin, Fadil Topallin, Arbenit Topallin dhe Lirim Topallin, ndërkohë që edhe vetë Skënder Gjeli, Shaip Topalli dhe Halit Topalli janë lënduar me mjete të forta gjatë përleshjes fizike.

Gazmend Halilaj, avokati i Lirim Topallit, i plagosur në këtë rast, ka thënë përmes telefonit KosovaPressit, se në një shtet ligjor klienti i tij duhet të ketë trajtimin e të dëmtuarit-viktimës së krimit, për shkak se i njëjti nuk ka marrë asnjë veprim me të cilin mund të besohet se është i inkriminuar në vepër penale siç pretendon prokurori i çështjes.

“Masa e paraburgimit për të jo vetëm që është në kundërshtim me provat dhe faktet që prokurori dhe gjykata posedon, por është në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore dhe cenojnë sigurinë juridike në përgjithësi. Sido që të jetë, ne brenda 48 orëve do t’i drejtohemi Gjykatës së Apelit me bindjen e plotë se kjo e fundit, do të rrëzojë aktvendimin e Gjykatës për krime të rënda dhe të mbrojturin tim do ta lirojë në gjendje të lirë”, ka thënë Halilaj.