15:37 / E premte, 17 Shkurt 2017

Rrëfimi i “nënës beqare”, tregon se si e mashtroi shqiptari: U martua me mua vetëm për të marrë vizën angleze

Rrëfimi i “nënës beqare”, tregon se si e mashtroi shqiptari: U martua me mua vetëm për të marrë vizën angleze

Michelle Rawlins, nga Sheffield, ka rrëfyer se si ish-bashkëshorti shqiptar e braktisi në qendrën tregtare, ndërkohë që ajo ishte duke provuar fustanin e dasmës.

Tashmë 51-vjeçarja e ka kthyer jetën e saj përmbys dhe është duke e ndarë historinë e saj me gra të tjera për t’i frymëzuar ato të largohen nga marrëdhëniet e dështuara.

Michelle rrëfeu se si ajo kishte humbur besimin tek vetja pasi të gjithë nxënësit në shkollë e tallnin për shkak të peshës së saj.

Ajo ishte shumë e shëndoshë dhe nuk shpresonte se ndonjë burrë mund t’ia hidhte ndonjëherë sytë.

“Isha me pushime në Selanik tek mikesha ime Emma. Një natë trokiti dikush në derë dhe brenda hyri një djalë i pashëm. Pasi Ema na prezantoi unë kuptova se ne përshtateshim si tipa, por unë e dija se dikush si ai s’do kishte kurrë interes ndaj meje. Gjatë natës unë vura re se ai po më kushtonte më shumë vëmendje seç duhej dhe kjo më bëri të ndihesha mirë. Mendova se ai thjesht po tregohej i sjellshëm me mua por më pas ai filloi të më bënte komplimente. Natën pasardhëse ne e takuam atë në një bar pranë detit dhe ai po më joshte. Qëndruam gjatë gjithë natës duke biseduar dhe më pas ai më çoi në shtëpinë e tij me motoçikletë”, rrëfeu Michelle.

Gjatë dy javëve qëndrimi në Greqi, Michelle e takonte atë çdo ditë. Ajo u trishtua shumë në momentin që pushimet mbaruan e i duhej të kthehej në Angli.

“Blade më tha se do më telefononte çdo ditë. Ai e mbajti fjalën dhe ne qëndruam në kontakt. Unë kam 2 fëmijë nga martesa ime e parë dhe sapo munda bleva biletat dhe shkova sërish në Selanik. Këtë herë mora me vete dhe vajzën time të vogël. Në momentin kur u takuam ndjemë se gjërat mes nesh nuk ishin ftohur aspak. Blade më tha se duhej që unë t’i siguroja një vizë në mënyrë që ai të vinte e të më takonte në Angli. Ai më rrëfeu se ishte shqiptar dhe se duhej të udhëtonte në Tiranë për të marrë vizën në ambasadë. U surprizova pak, por isha e gatshme të bëja gjithçka të isha me të”, shtoi Michelle.

Katër javë më vonë ata shkuan në Tiranë dhe Blade iu dha një vizë turistike 3 mujore për në Angli. Dy ditë më vonë shqiptari u shpërngul në shtëpinë e Michelle në Sheffield , Angli ku jetonte së bashku me të dhe dy fëmijët e saj.

“Isha shumë e gëzuar që do mund të mburresha tek shoqet e mia që kisha pranë një mashkull si Blade. Ne shkonim në klubet e natës të cilat unë i vizitoja rregullisht dhe unë rrija me krenari në krah të tij kur i shihja vajzat londineze të më kishin zili. Ishte një hakmarrje e ëmbël për të gjithë ata që më kishin tallur më parë”, deklaroi ajo.

“Disa muaj më vonë, erdhi e na vizitoi një kushëri i Blade në shtëpi. Ishte periudhë Krishtlindjesh. I dëgjoja që mërmërisnin në shqip, por megjithëse nuk kuptoja asnjë fjalë, e kuptova se po kurdisnin diçka. I lashë mënjanë dyshimet e mia dhe vendosa të festoja Krishtlindjet tona të para së bashku. U habita kur më 25 dhjetor ai më propozoi me një unazë duke më kërkuar të martohesha me të. Shkuam të hidhnin firmat si fillim e më pas të organizonim dasmën. Pasi mbaruam procedurat, unë dhe fëmijët shkuam në qendrën tregtare që të provoja një fustan nusërie dhe kishim vendosur të takoheshim me Blade aty. Ai nuk erdhi kurrë. Prita me muaj të tërë që ai të më kontaktonte dhe më pas e kuptova se më kishte përdorur vetëm për të marrë vizën angleze sepse mora vesh më vonë se ai ishte i martuar dhe gruaja e tij jetonte në Tiranë”, tha Michelle e trishtuar. /tvklan.al/


Lexo të tjera