09:38 / E Shtunë, 20 Janar 2018 / indeksADMonline

Interi nuk ndalet në merkato, pas Rafinhës gati edhe sulmuesi i Liverpoolit

Ndonëse në verë i zhgënjeu fansat me merkaton e vakët, Interi duket se po rindez edhe njëherë fantazinë e tyre, në këto ditë të ftohta janari.

Kështu pasi morën Lisandro Lopezin dhe mbyllën marrëveshjen me Barcelonën për transferimin e fantazistit brazilian Rafinha, zikaltrit janë gati të bëjnë një tjetër goditje.

Bëhet fjalë për sulmuesin anësor të Liverpoolit, Daniel Sturridge, që është vetëm një hap larg Interit, pasi ka përfunduar jashtë planeve të Jurgen Klopp.

Kjo konfirmohet jo vetëm nga mediet, por edhe nga kompanitë e basteve që kalimin e Sturridge në Milano e kuotojnë me koefiçientin 1.07, duke i dhënë shanse maksimale transferimit.

Megjithatë, merkatoja e Interit duket se nuk do të ndalet këtu. Zikaltrit janë duke punuar fort për të marrë edhe ish mesfushorin e Chelseat, brazilianin Ramirez.

Gjithsesi, mediet italiane raportojnë se paralelisht me bisedimet për Ramirezin, drejtuesit e Interit po negociojnë edhe për rikthimin në Milano të kroatit të Realit, Mateo Kovaçiç.