16:39 / E Martë, 19 Qershor 2018 / indeksADMonline

Interpelancë për mëditjet, në Shqipëri 250 e në Kanada 170 euro

Zyrtarët e shumtë të Kosovës përpos pagave mjaft të kënaqshme përfitojnë shumë edhe nga mëditjet.

E siç është bërë e ditur së fundi nga mëditjet përfitojnë më shumë kur qëndrojnë afër, pra në Shqipëri apo në Mal të Zi se sa në kontinente të largëta.

Pra pothuajse çdo javë dikush nga politikanët tanë janë për vizita, kinse zyrtare, në Shqipëri e Mal të Zi, ku meditjet për një ditë shkojnë deri në 250 euro.

Ndërkohë është pikërisht deputeti Dardan Molliqaj i cili ka bërë të ditur se në emër të partisë, PSD kanë propozuar një interpelanca për ristrukturimin e sistemit të mëditjeve dhe shpenzimeve për udhëtimet zyrtare, shkruan Indeksonline.

Molliqaj ka thënë se këto tarifa janë caktuar me qëllim për të përfituar nga udhëtimet në vendet e afërta të cilat janë shumë më të shpeshta sesa ato në vendet më të largëta si shembull Australi apo Kanada.

Postimi i plotë:

Mëditjet për zyrtarët e institucioneve shtetërore për vizita në Shqipëri, Mal të Zi apo Serbi mbërrijnë shumën 250€ në ditë, përderisa ato në vendet e largëta me standarte të jetesës shumë më të larta, si Australia apo Canada janë vetëm rreth 170€.

Këto tarifa janë caktuar me qëllim për të përfituar nga udhëtimet në vendet e afërta të cilat janë shumë më të shpeshta sesa ato në vendet më të largëta.

Për neve kjo është e papranueshme, prandaj, sot në emër të PSD-së, propozova një interpelancë për ristrukturimin e sistemit të mëditjeve dhe shpenzimeve për udhëtimet zyrtare.