23:05 / E Mërkurë, 20 Qershor 2018

Ish-negociatorja Edita Tahiri komenton zhvillimet e fundit rreth dialogut

Pas një periudhe të ngrirjes së raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, të dielën do të mbahet takimi i parë i fazës finale të dialogut ndërmjet dyja shteteve. Ky dialog tani do të zhvillohet në nivel presidentësh.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka konfirmuar se të dielën do të udhëtoi për në Bruksel për tu takuar me homologun e tij, Aleksander Vuçiq, takim ky që do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Mirëpo, deputetë të pozitës dhe opozitës po kundërshtojnë udhëheqjen e delegacionit nga Thaçi, pasi sipas tyre ai nuk paraqet unitet politik dhe nuk ka mandat për të udhëhequr bisedimet.

Kurse Edita Tahiri, ish-negociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në një intervistë për Indeksonline ka thënë se ky takim është i rëndësishëm pasi pritet të prodhojë marrëveshjen përfundimtare mes dyja vendeve.

Tahiri thotë se përfaqësuesi i delegacionit duhet të ndërtohet nga një konsensus i spektrit politik në Kosovë.

“Është shumë më rëndësi që dialogu në Bruksel tashmë po kalon në fazën përfundimtare të këtij procesi, i cili duhet të prodhojë marrëveshjen përfundimtare mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe që kjo marrëveshje duhet të sjellë njohjen reciproke mes dyja vendeve. Sa i përket përfaqësimit të delegacionit të Kosovës, mendoj se duhet të ndërtohet një konsensus i gjerë i spektrit relevant politik në Kosovë, në mënyrë që delegacioni që përfaqëson Kosovën të këtë legjitimit dhe praktika ka qenë edhe në Rambuje edhe në Vjenë që presidentë të vendit të udhëheqin delegacionet. Pra, duhet që Kosova sa ma shpejtë të gjejë formulën apo gjuhën e përbashkët mes faktorëve politik, të gjejnë gjuhën e përbashkët në mënyrë që të kemi një delegacion legjitim dhe të autorizuar për bisedime”, ka thënë Tahiri.

Ish-negociatorja ka deklaruar se Qeveria aktuale ka qenë shumë pak aktive në procesin e dialogut. Sipas saj, procesi i zbatimit të marrëveshjeve ka stagnuar.

“Në fakt që nga koha kur ka përfunduar qeveria e kaluar, pra në shtator të vitit të kaluar dhe ka nis kjo qeveri e re, gjithë procesi i zbatimit të marrëveshjeve ka stagnuar, sepse e para qeveria e Kosovës nuk është treguar fare aktive për t’i quar këto marrëveshje përpara. Serbia nuk ka lëvizur asnjëherë vet me vullnet me i zbatu marrëveshjet, por ka qenë gjithmonë qëndrimi jonë i prerë si qeveri dhe e imja si kryengociatore, kemi qenë aktiv dhe të vendosur që këto marrëveshje të zbatohet. Kemi arritur jo vetëm që Serbia të zbatoi një numër të marrëveshjeve, por edhe kemi arritur që edhe BE ta vendos kapitullin 35 si kusht për integrimin e Serbisë dhe brenda këtij kapitulli janë të gjitha marrëveshjet e pazbatuara që Serbia duhet t’i zbatoj”, ka shtuar Tahiri.

Ajo ka theksuar se edhe hartimi i statusit të Asociacionit nuk është dashur të bëhet pa u takuar në Bruksel.

“Kjo Qeveri nuk ka pasur shumë punë për me negociu, prandaj u deshtë që këtë kohë me shfytëzu me qenë ma aktive dhe për të rritur presionin ndaj Bashkimit Evropian që Serbia të zbatojë marrëveshjet që janë si energjia, hapja e Urës së Ibrit që Serbia po e bllokon politikisht, njohja e diplomave, në anën tjetër ka nis hartimit e statutit për Asociacionin, por edhe këtë punë nuk u deshtë me nis pa u bë takimi në Bruksel, ku Kosova do të merrte obligimet e saj dhe Serbia të vetat”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, Serbia po ndihet komod me mbet e bllokuar, derisa shton se Qeveria e Kosovës ka treguar qasje të pamatur.

“Serbia po ndihet komod me mbet e bllokuar pasi praktikisht nuk ka detyrim që do të dilte nga një plan strategjik i dakorduar në Bruksel dhe Qeveria jonë ka mundur me bë, i ka shtatë a tetë muaj, por kjo Qeveri nuk merret me dialog. Ka qenë më të vërtetë një qasje shumë e pamatur e shkurtpamëse”, ka deklaruar ajo në këtë intervistë për Indeksonline.

Kohët e fundit disa artistë e filozof nga Kosova janë ndaluar nga autoritetet e Serbisë në kufi. Sipas Tahirit, Serbia nuk është transformuar në një shtet proevropian.

“Vërtetë kjo sjellje e Serbisë në shkeljen e marrëveshjeve të arritura, përfshirë këtë të lëvizjes së lirë, tregon se Serbia nuk është transformu në një shtet proevropian, po bënë përpjekje, por ende ka shumë varësi nga Rusia dhe politikat e saj. Por, këto nuk janë pa motivacion, pra varet sa Serbia momente të caktuara vendos ka do ta dërgoj vendin. Sot Serbia është në udhëkryq mes Moskës e Brukselit. Përderisa nuk ka përcaktim, të qartë, do të vazhdoj të sjellët në këtë formë destruktive duke shkelur edhe marrëveshjet e nënshkruara”, ka përfunduar ajo.

Ndërsa Presidenti Thaçi përmes një konferencë për media ka thënë se qëllimi i takimit me Vuçiqin është arritja e marrëveshjes ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare të këtij dialogu është arritja e marrëveshjes ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Jam i bindur që ka ardhur koha, që pas bisedimeve të cilat në një mënyrë apo tjetrën po zgjasin tash e njëzet vjet, që të nënshkruhet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të përfundonte një epokë tragjike, mbi njëshekullore, në raportet në mes të dy shteteve dhe popujve”, ka thënë presidenti Thaçi./Indeksonline/