12:25 / E Mërkurë, 17 Janar 2018 / indeksADMonline

Ismaili pret ekipin e MCC-së, projekt për monitorimin e ndotjes së ajrit

Ministria e Shëndetësisë do ta mbështesë agjencinë ‘Millenium Challenge Corporation’ nga Uashingtoni e cila do të hartojë një projekt për monitorimin e cilësisë së ajrit në Kosovë.

Ministri Uran Ismaili nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar se strategjia për kujdesin shëndetësor do të bazohet edhe në raportimin për ajrin e ndotur.

“Ministria e Shëndetësisë do të angazhohet konkretisht në dizajnimin e një sistemi të alarmit për shëndetin, bazuar në të dhënat e dala nga këto raporte të cilat deri tani i kanë munguar edhe institucioneve edhe publikut. Informimi i saktë është esencial në punën strategjike për kujdes shëndetësor. Ambient më të pastër, jetë më të gjatë”, ka shkruar Ismaili.

Ndotja e ajrit gjatë stinës së dimrit në vitet e fundit ka arritur nivele alarmante në Kosovë.

Kjo ka shkaktuar edhe viruse të ndryshme tek pacientët, shumica prej të cilëve janë fëmijë.

Klinika e Pediatrisë në QKUK është duke pranuar fluks të madh të pacientëve, sidomos të moshës 1 muaj deri 1 vjeç.