21:09 / E Enjte, 05 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ja sa rritet ekonomia britanike nëse Anglia shkon në finalen e Botërorit

Tashmë është e ditur se Botërori sjellë shumë të ardhura për vendet pjesmarrëse dhe sidomos për ata kombëtare të cilat arrijnë deri në fazat e fundit të këtij kampionit.

Në një studim të kryer nga “VoucherCodes”, ekonomia britanike pritet të përfitojë ndjeshëm nëse Anglia arrin të kalojë me sukses fazat e Kupës së Botës që po zhvillohet në Rusi.

Deri më tani, ekonomia ishullore ka përfituar një rritje prej 1.33 miliardë paund, e kjo shumë mund të rritet deri në 2.72 miliardë paund nëse “Tre luanët” arrijnë të shkojnë deri në finale.

Këto janë shifrat e publikuara nga “VoucherCodes” dhe Qendra për Studime të Tregut të shitjeve me pakicë (CRR).

Lokalet e natës (pub-et), restorantet dhe klubet e tjera pritet të jenë në vijën e parë të përfitimeve nga ecuria e mundshme e suksesshme në Kupën e Botës të anglezëve, pasi 193 milionë paund përllogariten të shpenzohen nga klientët që ulen vetëm për të parë ndeshjet e turneut, një shumë që mund të shkojë deri në 488 milionë paund, nëse Anglia shkon në finale.

Kjo shifër mbështetet edhe nga një studim tjetër ndaj 2.000 shtetasve të rritur britanikë, i ndërmarrë nga “Opinium and VoucherCodes”, që zbulon se çereku i popullsisë në Britani i shpenzon paratë në pije – kryesisht alkoolike, – gjatë turneut, teksa shohin ndeshjet e Anglisë në lokalet me ekrane gjigante në dispozicion.

Edhe pse shumë njerëz dalin në pub-e, klube apo kafene për të parë ndeshjet, shifrat tregojnë se shumica e popullsisë britanike, 86%, planifikonin ta shihnin turneun nga shtëpia. Pikërisht këta që qëndrojnë në shtëpi përllogariten të shpenzojnë 240 milionë paund për ushqime dhe 297 milionë paund për pije alkoolike, nëse Anglia shkon deri në raundin e 1/8-ave, duke u rritur deri në 1.12 miliardë paund nëse arrin deri në finale.

Ata besohet të kenë shpenzuar gjithashtu 37 milionë paund për përgatitjen e ambienteve të kopshteve të shtëpive të tyre, apo për rritjen e kapaciteteve për të mikpritur miqtë apo familjarë, një shifër që mund të rritet deri në 62 mln paund nëse Anglia shkon deri në finalen e Moskës.