22:27 / E Mërkurë, 21 Mars 2018 / indeksADMonline

Jahjaga uron ratifikimin e Demarkacionit, fton klasën politike për reflektim

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Dermakcionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Jahjaga ka thënë se ratifikimi i Demarkacionit ishte një hap i rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit.

Me anë të kësaj deklarate, ajo u ka bërë thirrje klasës politike për reflektim, për të shfrytëzuar këtë moment dhe për të menduar për dëmin e shkaktuar për këto tri vite, transmeton Indeksonline.

Ky është postimi i saj:

Përshëndes ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, një hap i rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit, përmbushjes së obligimeve dhe përgjegjësive tona shtetërore dhe përcaktim i qartë në anën e drejtë të historisë. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje i hapë rrugë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës duke i dhënë fund izolimit të tyre.

Megjithatë, sot duhet të jetë edhe një ditë e reflektimit. Klasa politike e Kosovës duhet ta shfrytezojë këtë moment për të menduar thellë për dëmin e shkaktuar nga tri vite veprimesh apologjetike dhe një politikë shkurtpamëse të interesave të ngushta politike. Rezultati është një diskreditim i pariparueshëm i reputacionit të institucioneve para qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në fund, dua t’i falenderoj te rinjtë e Kosovës që me durim të pashoq e shpërthyen këtë izolim të padrejtë duke e sjellë vëmendjen e botës në Kosovë përmes inovacionit dhe kreativitetit të tyre. Tani është radha ta dëshmoni atë që tashmë e dimë – që Kosova do të jetë vlerë e shtuar për Bashkimin Evropian.