12:08 / E Mërkurë, 14 Mars 2018 / indeksADMonline

Jakup Krasniqi: Kjo është e vërteta e takimit në Ambasadën Amerikane

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri në seancën e sotme plenare ka dhënë detaje nga takimi i 2014-tës mes përfaqësuesve të partive politike në ambasadën e SHBA-ve.

Beqiri tha se në takimin me Jacobson, atyre iu ishte kërkuar që deputetëve serb t’iu shtohen mandatet në Kuvend, në mënyrë që të krijohej ushtria e Kosovës, gjë të cilën e kishte kundërshtuar LDK-ja dhe kryeparlamentari i atëhershëm, Jakup Krasniqi.

Në një prononcim për Indeksonline, Jakup Krasniqi ka thënë se nuk i kujtohet që atë kohë të kenë diskutuar për ushtrinë.

“Atëherë kanë qenë tri takime që janë mbajtur me krerët e partive politike për Gjykatën Speciale. Një në Ambasadën e SHBA-së, një në Zyrën e BE-së e një në rezidencën gjermane. Tema bosht ka qenë Gjykata Speciale. Për të cilën gjë i vetmi kam qenë kundër. Nuk më kujtohet se kemi biseduar për ushtrinë”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas tij, vendet e rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës nuk janë varur nga ai.

“Çështja e vendeve të rezervuara nuk është varur nga unë, edhe pse kam qenë kundër. Por, edhe kjo çështje do të shkonte si GJykata Speciale, sikur mos të kundërshtohej nga LDK. Atëherë VV-ja nuk ftohej”, ka thënë tutje Krasniqi. /Indeksonline/