08:10 / E Premte, 01 Qershor 2018

James “jashtëtokësor” por tradhëtohet nga J.R Smith, triumfon Golden State

Sa shumë emocione, sa shumë spektakël, sa shumë klas nga LeBron James, por në fund feston Golden State Warriors.

Nisi në mënyrën më të mirë të mundshme seria e finaleve të mëdha të NBA për kampionët në fuqi. Për të 4-tin vit radhazi Warriors dhe Cavs po sfidojnë njëra-tjetrën në aktin e fundit të sezonit në basketbollit amerikan, me një mision të vetëm të fitojnë titullit e kampionit.

Përballja e parë e zhvilluar në Oracle Arena ishte një spektakël më vetë me LeBron që zhvilloi një tjetër ndeshje të jashtëzakonshme por në fund u tradhëtua nga shokët e skuadrës me Cleveland që u mposht pas kohës shtesë me rezultatin 124-114. 51 pikë, 8 asiste dhe 8 rikuperime, ishin këto statistikat fenomenale të mbretit James që individualisht tregoi se është shumë më lart se yjet e Golden State, Curry dhe Durant por edhe në basketboll ashtu siç në çdo sport tjetër diferencën e bën grupi dhe jo individi. Balancë totale në pjesën e parë me dy skuadrat që shkuan në pushim në barazim 56-56. Në periodën e tretë vendasit e rritën ndjeshëm ritmin dhe në fund të këtij 12-minutëshi Golden State ishte në avantazhin e 6 pikëve.

U duk sikur mori drejtim sfida e Oracle Arena me Warriors që ishin pranë fitores, por James dhe Cleveland nuk e kishin thënë ende fjalën e fundit. LeBron mori për dore të tijët në periodën e 4-ët duke barazuar shifrat në 107-107. E pabesueshme ajo që ndodhi në sekondat e fundit me J.R Smith që harroi rezultatin dhe me idenë se Cavaliers ishin në avantazh nuk tentoi gjuajtjen që mund t’i kishte dhënë fitoren Cleveland-it.

Një gabim që peshoi shumë për skuadrën nga Ohio, sepse në shtesë Golden State nxorri më të mirën nga repertori i saj duke bllokuar mbretin James për të marrë një fitore me shifrat 124-114. 3 treshja e mrekullive te kampionët në fuqi të NBA funksioni sërish me Stephen Curry-in që realizoi 29 pikë i ndjekur nga Kevin Durant me 26 dhe Klay Thompson me 24 pikë. Edhe finalja e dytë do të zhvillohet sërish në Oracle Arena, megjithatë Golden State e ka marrë tashmë mesazhin, LeBron James është në një formë të jashtëzakonshme dhe do të bëjë gjithçka për ta çuar serinë në 1-1.

Temat: