15:24 / E Diele, 05 Gusht 2018 / indeksADMonline

Kamenicasit po shpërngulen, Kastrati tregon planin që ka për të ndaluar këtë dukuri

Ka më pak se shtatë muaj që kur është zgjedhur në krye të komunës së Kamenicës. Qëndron Kastrati, është kryetari më i ri në moshë i një komunë në Kosovë.

30 vjeçari nga Hogoshti i Kamenicës, fitoi udhëheqjen e qeverisjes lokale në Kamenicë në zgjedhjet fundit lokale si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje. Tani është pjesë e grupit të ndarë, të të pakënaqurve të VV-së, pra pjesë e Partisë Social Demokrate.

Kastrati nuk flet shumë për lëvizjen e tij të fundit politike. Thotë se pakkush i di arsyet reale porse për to nuk ka dëshirë të flas tani. Kalimi në PSD megjithatë, thotë se nuk e ka afektuar punën e tij në qeverisjen e Kamenicës. Kastrati ishte bashkuar me LVV në vitin 2009. Ai kishte shërbyer si asambleist në Kuvendin Komunal të Prishtinës katër vjet pas, dhe nga viti 2015 kishte drejtuar Grupin e Asambleistëve të LVV-së në Prishtinë. Po ashtu ai ka qenë anëtar i Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Prishtinës.

Përvoja aty thotë se sot i ndihmon në kryerjen e  detyrave të tija në qeverisjen e Kamenicës. Duke ditur rëndësinë e investimeve kapitale dhe krijimit të shërbimeve më të mira për qytetarët, ankohet për diskriminim që i bëhet ligjërisht komunave të vogla si Kamenica për shkak të buxhetit shumë të ulët për investime që do ta zhvillonin mirëqenien qytetare. Kryetari Kastrati tha po ashtu se ka një trend të shpërnguljes së popullatës prej Kamenicës, pikërisht për shkak të specifikave të përmendura, e që lidhen me zhvillimin e komunës.

Një mundësi për të përmirësuar gjendjen ekonomike sipas tij, është lehtësimi i të bërit biznes nga qeverisja qendrore dhe investimi në sektorin e bujqësisë.

Ai tha po ashtu se synon që 50 për qind të kohës ta kalojë për të tërhequr fonde qoftë prej nivelit qendror qoftë prej organizatave të ndryshme, sepse nëse në komuna të mëdha mjafton mire menaxhimi i buxhetit, në komuna të vogla si Kamenica kjo nuk mjafton por është e rëndësishme edhe më tërheq fonde.

Derisa tregoi se si kryetar komune nuk ka shfrytëzuar për vete reprezentacionin apo veturën që i takon kryetarit 24 orë, ngase po mundohen të kursejnë sa më shumë. Kastrati u shpreh i bindur se qeveria qendrore duhet të rishikojë çështjen e granit të përgjithshëm , atij për arsim dhe shëndetësi e të mos eksperimentojë me sakrifikimit ë gjeneratave për shkak të cilësisë së dobët të shërbimeve dhe arsimit jo të duhur, sidomos në komuna të vogla si Kamenica e që kanë buxhet më të ulët.