15:48 / E Martë, 20 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Kastrati dhe Berisha të gatshëm për Poloninë

Përfaqësuesja A e Kosovës të martën paradite e ka zhvilluar stërvitjen e parë në Torun të Polonisë, ku është duke e mbajtur grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e Dritares së Dytë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Kosova do të ballafaqohet me Poloninë më 23 shkurt duke filluar nga ora 19:00 në Wloclawek, kurse më 26 shkurt në Klaipeda do të jetë mysafire e Lituanisë, takim ky që do të luhet me fillim nga ora 19:30.

Pas stërvitjes së parë për faqen zyrtare të FBK-së janë deklaruar kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Dardan Berisha dhe i rikthyeri në ekip pas lëndimit në Dritarën e Parë, Erjon Kastrati.

Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësueses së Kosovës:

“Përgatitjet i kemi filluar sot, pasi që mbrëmë të gjithë kemi arritur në Torun. Jemi shumë të lumtur që jemi kthyer prap bashkë, i dijmë qëllimet tona, por edhe e dijmë që s’ka me qenë lehtë. Sot e kemi mbajtur stërvitjen e parë në mëngjes, në mbrëmjë sërish do të kemi stërvitje. Të gjithë bashkëlojtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo na jep motivim që të bëjmë sa më mirë në duel me Poloninë. Scott Bamforth nuk ka pasur mundësi për shkak të rikuperimit të bashkëngjitet me ne, por është mirë që Shawn Jones është me ne në ekip, dhe mendoj se ai do të na ndihmojë shumë. Skuadra nuk është e njëjta siç ka qenë në muajin nëntor, por ne do ta japim 100% tonë në stërvitje dhe në ndeshje, si dhe do të mundohemi të bëjmë një befasi për të mposhtur një ekip të fortë siç është Polonia”.

Erjon Kastrati, basketbollist i Përfaqësueses së Kosovës:

“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer me ekipin. Dua të falenderoj Federatën e Basketbollit të Kosovës që na ka dhënë mundësi të grumbullohemi në Poloni disa ditë më herët, në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë për takimin me Poloninë, një Përfaqësuese kjo shumë e fortë, por ne jemi optimistë dhe nëse e japim maksimumin nga vetja shpresojmë në rezultat pozitiv”.