19:12 / E Enjte, 13 Shtator 2018 / indeksADMonline

Katër persona ndalohen me armë ilegale në veturë, njëri sulmoi policin në Prizren

Pak pas mesnate, rreth orës 02:15 minuta, një patrullë e Policisë së Prizrenit e kishte pikasur një veturë Audi A4 që lëvizte përgjatë rrugës “Tirana” në të cilën ndodheshin katër persona.

Para se të ndalohej vetura, patrulla i ka informuar edhe njësitet tjera që ishin në terren për ndaljen e automjetit të dyshimtë dhe reagimi ka qenë i shpejtë, shkruan Indeksonline.

Pas ndaljes së veturës shoferi B. U. I ka treguar dokumentet , ndërkaq tre të tjerët janë deklaruar se nuk posedojnë fare dokumente.

Gjatë kontrollit të të dyshuarve , tek njëri është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e llojit “Zastava” me dy karikatorë dhe 22 fishekë të kalibrit 9mm. Ndërkaq njëri nga të dyshuarit ia kishte dhënë vrapit në tentim për të ikur por dy policë e kanë ndjekur gjatë këmba këmbës. Gjatë arrestimit, i dyshuari kishte sulmuar një polic të cilit i shkakton lëndime trupore.

Pas arrestimit dhe sjelljes në ambientet policore të njëjtit janë intervistuar e më pas është informuar prokurori i shtetit për rrjedhën e ngjarjes.

Pas hetimeve fillestare ka rezultuar se B. U. dhe E. A. janë të njohur për policinë për vepra të ndryshme penale si grabitje, tentim vrasje e narkotikë.

Të njëjtit ndalen nën masën e arrestit policor./Indeksonline/