21:22 / E Mërkurë, 18 Korrik 2018 / indeksADMonline

Përfundon operacioni i policisë, tre shtetas të huaj dhe një kosovare të arrestuar për vrasje (Video/Foto)

(I plotësuar 22:41) Policia e Kosovës ka përfunduar kontrollin në detaje të ndërtesës ku dyshohej se ndodhen edhe dy serbë të kërkuar për vrasje, porse të njëjtit nuk janë gjetur aty, raporton Indeksonline.

Gjatë bastisjes, policia ka gjetur armë zjarri, municione të ndryshme dhe narkotik.

Pjesëtarët e Njësisë Speciale kanë marr urdhër që të tërhiqen nga lagja “Kalabria” ndërsa për katër të arrestuarit më herët, do të merret vendimi nga Prokurori i Shtetit.

—–

(22:38) Burimet e Indeksonline brenda policisë thonë se në mesin e katër të arrestuarve ndodhen edhe Mario Millosheviç (38) dhe Djordje Paviceviç (31), dy emra të njohur në Mal të Zi për kryerje të veprave të rënda penale.

Që të dy janë të dyshuar për vrasje e kidnapime njerëzish të ndodhura vitet e fundit në Mal të Zi.

(Mario Millosheviç)

——

(22:21) Tre nga personat e arrestuar janë larguar me automjete të Policisë nga lagja “Kalabria” derisa një ndodhet ende i prangosur në veturë të policisë, raporton Indeksonline.

Aksioni po vazhdon ende ndërsa afër ndërtesës e cila po kontrollohet, shihet rreth 30 pjesëtarë të Njësisë Speciale duke zbatuar urdhrin për identifikimin dhe arrestimin e të kërkuarve.

—–

(22:00) Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës kanë rrethuar një ndërtesë në lagjen “Kalabria” ku po dyshohet se janë fshehur edhe dy serbë të dyshuar për vrasje, e që të njëjtit kanë urdhërarrest ndërkombëtar.

Indeksonline ndodhet në vendin e ngjarjes dhe do të vazhdoi t’iu mbaj të informuar për çdo detaj që ndodhë në këtë operacion policor, raporton Indeksonline.

——-

(21:55) Momentalisht pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë futur në një ndërtesë në lagjen “Kalabria” ku po kontrollojnë në detaje banesën e të dyshuarve, raporton Indeksonline.

Aksioni po zhvillohet që disa orë dhe nuk është raportuar për ndonjë pengim të zyrtarëve policor në kryerje të detyrës.

——

(21:47) Në vendin ku po zhvillohet aksioni policor për kapjen e të dyshuarve për vrasje, me nënshtetësi të huaj, janë parë edhe zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, raporton Indeksonline.

Ata e kanë përcjell nga afër arrestimin e të dyshuarve të cilët ishin duke u strehuar në një banesë në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Ky është njëri ndër operacionet më të suksesshme kohët e fundit i Policisë së Kosovës.

——-

(21:42) Policia e Kosovës ka vënë në aksion Njësitë Speciale për të realizuar me sukses operacionin e madh kundër kriminelëve ndërkombëtarë të fshehur në Kosovë, raporton Indeksonline.

Deri të ky operacion ka ardhur pas hetimeve intensive të zhvilluara kohët e fundit nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

——-

(21:37) Në mesin e katër personave të prangosur nga Policia e Kosovës është edhe një femër e nacionalitetit shqiptar, raporton Indeksonline.

Që të gjithë të arrestuarit po mbahen nëpër automjete të Policisë derisa operacioni është duke u zhvilluar ende.

——

(21:32) Janë shtuar masat e sigurisë në lagjen “Kalabria” në kryeqytet. Aty po kërkohen edhe disa persona tjerë, shtetas të huaj, të dyshuar për vrasje.

Ekipi i Indeksonline ndodhet në vendin e ngjarjes dhe do t’iu mbajë të informuar për çdo zhvillim që ndodhë në këtë vend.

——

(21:30) Policia është në kërkim edhe të dy personave tjerë shtetas të huaj të dyshuar për vrasje e që janë shpallur në kërkim nga Interpol, raporton Indeksonline.

Njësia Speciale është duke kryer kontrolle të rrepta në shumë automjete në lagjen Kalabria dhe se sipas tyre aty dyshohet se janë fshehur edhe disa të dyshuar tjerë.

——-

(21:22) Katër është numri i personave të arrestuar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës si të dyshuar për vrasje.

Arrestimet janë kryer në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Burimet e Indeksonline brenda Policisë kanë thënë se dy prej të arrestuarave kanë nënshtetësi malazeze, një është shtetas i Serbisë dhe një tjetër ende nuk dihet.

Sipas policisë, të arrestuarit dyshohen me bazë për vrasje dhe se të njëjtit janë shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Interpoli./Indeksonline/

Janë dhjetëra policisë të Njësisë Speciale që kanë bllokuar lagjen “Kalabria” në kryeqytet për të identifikuar dhe arrestuar disa persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.