13:19 / E Martë, 14 Gusht 2018 / indeksADMonline

KDI: Opozita bojkotoi 29% të votimeve, pozita 19%

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar sot një raport për punën e Kuvendit të Kosovës, në të cilin ka theksuar se karakteristikë e këtij sesioni të punës ishte mungesa e kuorumit në votim.

Sipas KDI-së, nga të dhënat vërehet se deputetët nga opozita kanë bojkotuar 29% të votimeve, kurse partitë në pushtet kanë bojkotuar 19% të votimeve në Kuvend.

KDI thekson se kjo ka prodhuar ngecje në funksionin ligjvënës të Kuvendit, duke limituar në masë të madhe numrin e projektligjeve të miratuara, pasi që agjenda legjislative për 2018 deri tani është përmbushur vetëm 22%.

“Vetëm gjatë këtij sesioni janë 20 nga gjithsej 27 seancat e mbajtura gjatë periudhës janar – korrik që kanë vazhduar punimet në ditë të tjera, për shkak të mungesës së kuorumit në votim. Ka pasur raste kur seanca ka zgjatur deri në 3 muaj, e cila është përcjellë deri në 11 vazhdime”, thuhet në raport, transmeton Indeksonline.

Sipas KDI-së, thirrja e seancave të reja pa përfundimin e seancave paraprake ka ndikuar në grumbullim të pikave të papërfunduara të rendit të ditës, dhe në efikasitetin e punës së Kuvendit.

Tutje, sipas raportit thuhet se në mungesë kuorumi në votime, është kthyer në praktikë që Kryesuesi i seancës në shumë raste të hedh në votim më shumë se një herë një pikë të caktuar.

“Në bazë të të dhënave që KDI ka nxjerrë nga pikat e që janë votuar, vërehet se deputetët nga opozita kanë bojkotuar 29% të votimeve, kurse partitë në pushtet kanë bojkotuar 19% të votimeve në Kuvend. Nëse analizojmë sipas grupeve parlamentare, del që Lista Serbe është grupi parlamentar që kryeson listën për mospjesëmarrje në votim me 36%, e pasuar nga LDK dhe LVV me 35% respektivisht 25% të bojkotimit të votimeve”, thuhet në raportin e KDI-së.

Andaj, Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se mospjesëmarrja në votim është shmangie nga përgjegjësia dhe përfaqësimi i qytetarëve.

“Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, neni 40, pika 1 obligon deputetët të marrin pjesë në seancat plenare dhe mbledhjet e trupave të tjerë ndihmës të Kuvendit, ku ata janë anëtarë. Po në të njëjtin ligj, gjegjësisht në neni 41, thuhet që deputetët që nuk marrin pjesë në seancë dhe punimet e tjera brenda Kuvendit do t’iu reduktohet paga bazë dhe kompensimet shtesë. Deputetë janë të obliguar të marrin pjesë dhe të shprehin qëndrimet e tyre me anë të votimit. Kjo përqindje është nxjerrë duke përpjesëtuar numrin e pikave të votimit në të cilat deputeti nuk ka votuar (deputeti ka qenë i pranishëm në seancë, por nuk ka votuar as PËR, as KUNDËR, as ABSTENIM), me numrin total të pikave të votimit ku deputeti ka qenë i pranishëm në sallë. Deputetët e Listës Serbe janë llogaritur si pjesë e partive në pushtet”, thuhet në raportin e KDI-së.

Temat: