18:23 / E Shtunë, 17 Mars 2018 / indeksADMonline

KEDS vazhdon instalimin e njehsorëve jashtë pronave, qytetarët ankohen

Banorëve nga disa zona të Kosovës të cilëve u janë instaluar njehsorët e energjisë jashtë pronave të tyre nga KEDS, u janë paraqitur një mori problemesh si në aspektin e sigurisë ashtu dhe funksionalitetit siç kanë thënë ata.

Ndërkaq sa i përket këtij problemi, KEDS ka thënë se nxjerrja e orëve të rrymës jashtë pronave është procedurë standarde në shumicën e vendeve të botës.

“KEDS është duke investuar fuqishëm anekënd vendit që të sigurojë shërbime sa më kualitative për qytetarët. Kjo po vije si domosdoshmëri, pasi rrjeti i trashëguar ishte në gjendje mjaft të rëndë. Në kuadër të lehtësimit të ofrimit të shërbimeve dhe konform ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, KEDS aty ku po investon po bën edhe nxjerrjen e njehsorëve jashtë. Kjo është procedurë standarde në shumicën e vendeve të botës”, ka thënë për Indeksonline zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala.

Sipas tij KEDS duhet të ketë qasje 24 orëshe, por të njëjtën kohë të mos i shqetësojë qytetarët.

“Ju e dini se në bazë të ligjit për furnizim me energji elektrike, njehsorët janë pronë e kompanisë distributive, pra e KEDS-it në rastin konkret dhe qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen për asgjë. Praktikat ndërkombëtare tregojnë se kjo është shumë më e sigurt. Pra,  njehsorët janë në përgjegjësi të KEDS-it dhe jo të konsumatorëve dhe ata mund ti prekin, kontrollojnë apo inspektojnë vetëm ekipet e autorizuara të KEDS-it”, ka thënë Buzhala.

Ai ka shtuar se i përket ankesave, ato nuk ekzistojnë thuajse fare. Nga dhjetëra mijë njehsorë për disa vjet rresht janë më pak se 10 ankesa që kanë ardhur në tërë Kosovën.

Ndërkaq Avokati i Popullit, Hlimi Jashari ka theksuar se nuk ka pasur ndonjë ankesë nga qytetarët për vendosjen e orëve jashtë pronave të tyre, por ankesat kanë të bëjnë me numërimin e vlerën e treguar realisht.

“Tek orët e rrymës ekziston një shqetësim, ku kemi pranuar ankesa ku në ndërkohë do të shohim sa janë reale këto raportime dhe të shohim nëse njehsorët janë adekuat dhe a po tregojnë vlerën reale të harxhimeve ku shpresojmë që në të ardhmen e afërt të marrin rezultate edhe rreth kësaj”, ka thënë Jashari për Indeksonline.

Temat: