17:18 / E Hënë, 16 Korrik 2018 / indeksADMonline

Keqpërdorimi i rrymës në Kosovë, rreth 30%

Kosova vazhdon të përballet ende me humbje të energjisë elektrike në rrjet i cili menaxhohet nga KEDS-i për shkak të kyçjeve ilegale nga ana e qytetarëve.

Sipas disa të dhënave të sektorit të energjisë, afër një e treta e totalit të energjisë elektrike mbetet e pa faturuar, ndërsa përveç pjesës veriore të vendit, ku KEDS-i nuk arrin që ta faturojë energjinë e shpenzuar edhe rajonet e tjera të vendit konsiderohen si zona problematike nga ana e kompanisë.

Sipas të dhënave që qarkullojnë ndërmjet akterëve të distribuimit të energjisë elektrike, në rajonin e Pejës humbjet në rrjet janë 31 për qind, në rajonin e Gjakovës humbjet arrijnë në rreth 29 për qind, kurse në rajonin e Prishtinës 27 për qind.

Situatë disi më e mirë është në rajonin e Gjilanit, ku humbjet në rrjet si pasojë e kyçjeve të paligjshme vlerësohen se janë 15.63 për qind.

Këto humbje vlerësohet se janë nga sundimi i dobët i ligjit në vend, meqë edhe në rastet kur identifikohen kyçjet ilegale, ato nuk mund të ndërpriten deri në përfundimin e proceseve gjyqësore, të cilat shpesh marrin kohë të gjatë për tu zgjidhur.

Vjedhja e energjisë elektrikë është fenomen më i theksuar që e përcjell Kosovën, nga paslufta e ndoshta edhe më herët.

Ndërkohë bëhen përpjekje të vazhdueshme për uljen e këtyre vjedhjeve, por rezultatet deri tash nuk kanë qenë të kënaqshme.

Ndryshe sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në raportin për vitin 2017, theksohet se niveli më i madh i humbjeve komerciale është gjatë dimrit.

“Konsumi familjar dhe humbjet komerciale janë më të larta nё sezonin dimëror, që është kryesisht për shkak të shfrytëzimit të energjisë elektrike për ngrohje”, thuhet në raportin e ZRRE-së.

Po ashtu ZRRE-ja bënë të ditur se kostoja e humbjeve të energjisë eklektike kam shumën prej 56,060 milionë euro vetëm për vitin 2017.