14:51 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Kërcënime ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së

Autoritetet në Kosovë thonë se po i trajtojnë seriozisht disa pamflete të shpërndara në Komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, përmes së cilave janë kërcënuar pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kërcënimet pasojnë parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nëpër sheshet e Prishtinës për shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku ishin të pranishëm edhe pjesëtarët serbë të FSK-së.

Pamfletet janë shpërnda nga e ashtuquajtura “Armata e Veriut”.

Në pamflete, shkruhej: “Do t’ua thyejmë eshtrat”, duke iu referuar pjesëtarëve serbë të FSK-së.

Të tilla pamflete janë hasur në objektin e Komunës së Zubin Potokut, pastaj janë gjetur të hedhura nëpër rrugë si dhe nëpër automjetet e parkuara në këtë qytet.

Sipas këtyre kërcënimeve, objekt sulmi nuk do të jenë vetëm ata serbë që janë bërë pjesë e FSK-së, por edhe vetë Komuna e Zubin Potokut dhe të gjitha dyqanet dhe degët që do t’u ofrojnë shërbime pjesëtarëve serbë të FSK-së.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në rajonin Mitrovicës së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke u kryer hetime rreth kësaj çështjeje.

“Sa u përket këtyre pamfleteve, Policia e Kosovës i ka gjetur ato në disa lokacione në qytezën e Zubin Potokut dhe si të tilla ne i trajtojmë me seriozitetin më të lartë. Për këtë çështje dhe me gjithë përmbajtjen kërcënuese të kësaj letre është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit. Nga aspekti hetimor, do të punohet në identifikimin e kryerësve dhe autorëve të këtij teksti. Policia edhe në aspektin operativ merr edhe masa shtesë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”, tha Hoti.

Temat: