17:49 / E Mërkurë, 24 Janar 2018 / indeksADMonline

Kërkesa e Serbisë për hetim të rastit Ivanoviq dhe personave që qëndrojnë prapa kësaj vrasje, duhet të pranohet

Sot në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është diskutuar lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë. Këtë temë e ka ngritur raportuesi për Kosovën në APKiE, Jardi Roca Mas, deputet nga Parlamenti i Spanjës, me iniciativë të këtij Komisioni.

Çështja e cila u diskutua ishte vrasja e Oliver Ivanoviqit. Raportuesi, z. Roca, dënoi vrasjen e Ivanoviqit, duke theksuar se dhuna nuk zgjedh asgjë, por vetëm demokracia. Z. Roca tha se transparenca është në interesin e popullit të Kosovës dhe se tani është në proces të organizimit të vizitës së parë në Kosovë, në muajin maj ose qershor, në mënyrë që të ketë gati draftin e parë për Kosovën dhe ta prezantojë në APKiE në fund të vitit. Z. Roca theksoi se do të përgatis raportin si shtetas evropian dhe pa ndikim nga politika e shtetit që përfaqëson.

Kryetarja e këtij Komisioni fjalën e kaloi tek delegacioni serb, i cili kishte tendencë dezinformimin e anëtarëve të këtij Komisioni, duke deklaruar se Kosova ka bërë shkelje të të drejtave të njeriut, duke mos i respektuar të drejtat e komunitetit serb. Po ashtu vazhdoi të thotë se misioni i EULEX-it në Kosovë nuk ka bërë asgjë sa i përket komunitetit serb. Delegacioni nga Serbia vazhdoi të akuzojë institucionet e Kosovës dhe EULEX-in se nuk janë duke bërë përpjekje për kthimin e serbëve në Kosovë dhe për ndriçimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Lidhur me këtë çështje, delegacioni serb theksoi se kërkesa e Serbisë për investigim të rastit Ivanoviq, jo vetëm për personin qe e vrau, por edhe për personat që qëndrojnë prapa kësaj vrasjeje, duhet të pranohet. Po ashtu u theksua nisma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është e papranueshme nga ky delegacion.

Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës, i kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës kanë dënuar aktin e vrasjes se Ivanoviqit dhe se do të bashkëpunojnë me organet e sigurisë dhe të hetuesisë për zbardhen e rastit me shtetet fqinje.

Delegacioni nga Kosova theksoi se pavarësisht historisë së Ivanoviqit, ai nuk është ndier i rrezikuar nga shqiptaret dhe këtë e konfirmojnë edhe deklaratat nga vet Ivanoviq. ​