19:32 / E Diele, 21 Janar 2018 / indeksADMonline

Këto cilësohen arsyet e numrit të madh të aksidenteve në Kosovë

Numri i aksidenteve në komunikacion po vazhdon të mbetet i madh. Vetëm gjatë ditës së djeshme në territorin e Kosovës kanë ndodhur gjithsej 66 aksidente, ku në 33 prej tyre ka pasur edhe persona të lënduar.

Ndërkaq, gjatë vitit që lamë pas në Kosovë kanë ndodhur më shumë se 16 mijë aksidente, ku gjetën vdekjen 119 persona.

Njohësi i çështjeve të komunikacionit, Nol Dedaj, në një prononcim për Indeksonline ka numëruar disa arsyeje, që sipas tij janë shakatarë të numrit kaq të madh të aksidenteve.

“Faktorët kryesor për ndodhjen e aksidenteve janë faktori njeri, automjet, rrugë, pastaj vjen faktori incident dhe faktori komunikacion në rrugë. Gjithë këta janë faktorët që në kuadër të tyre ekzistojnë edhe elementet e tyre të cilat drejt për së drejti shkaktojnë aksidentet”, tha Dedaj.

Ai po ashtu ka kritikuar Këshillin e Sigurisë, që sipas tij nuk është aspak funksional dhe ka propozuar analiza disa vjeçare të aksidenteve, në mënyrë që të identifikohen faktorët shkaktues të aksidenteve.

“Meqenëse, tek ne nuk ekziston Këshilli i Sigurisë, ndonëse ekziston por definitivisht është i pavlefshëm, ndoshta sepse nuk ka kush me punu në të, atëherë në kuadër të kësaj, në kuadër të këshillit të sigurisë duhet me fillu projektet ose programet për siguri në komunikacionin rrugor, që do të thotë se Kosova duhet me e pas një strategji dhjetë vjeçare ose njëzet vjeçare, në mënyrë që të bëhen analizat e aksidenteve dhe të identifikohen elementet, e më pas të intervenohet në bazë të faktorëve shkaktues të aksidenteve”, deklaroi Dedaj.

Ndërkaq, sa i përket dhënies së gjobave nga ana e policisë, Dedaj tha se ato po arrijnë që të ndikojnë në uljen e numrit të aksidenteve.
Policia e Kosovës vetëm gjatë vitit 2017 ka shqiptuar 371 mijë e 976 gjoba në komunikacion./Indeksonline/