12:41 / E enjte, 17 Nentor 2016

‘Lëmsh’ i Lendita Zeqiraj filloi xhirimet (Foto)

‘Lëmsh’ i Lendita Zeqiraj filloi xhirimet (Foto)

Drejtori i fotografisë Sébastien Goepfert i njohur si DOP i filmave: ‘As I Open My Eyes’, ‘Zakaria’ dhe gjithashtu si operator i kamerës në filmin ‘Blue Is the Warmest Color’ të regjisorit të madh Abdellatif Kechiche ka ardhur në Kosovë për xhirimin e filmit të shkurtër ‘Lëmsh’.

Kanë filluar xhirimet e filmit të shkurtër me titull pune ‘Lëmsh’ nga regjisorja e njohur Lendita Zeqiraj, e cila ndër tjerash, njihet edhe për sukseset me filmin ‘Ballkoni’.
 
‘Lëmsh’ me skenar dhe regji nga Lendita Zeqiraj dhe me producent Bujar Kabashi filloi xhirimet në Prishtinë, të cilat pritet të zgjasin rreth 15 ditë. 

FIlmi flet për Gentin e vogël dhe dëshirën e tij për një qenush. Pas vizitës së moshatarit të tij Rom Xenit me mikun e tij qenin endacak Aja, te dera e shtëpisë, ai e shpreh dëshirën e tij në mbledhinë familjare. Kjo zgjon një diskutim të zjarrtë në mesin e të rriturve. Pas një mosmiratimi të shpejtë, diskutimi ndryshon kahjen në një përplasje brezash dhe në konflikt mes besimeve tradicionale dhe mënyrën bashkëkohore të jetës. Diskutim të guximshëm dhe të tendosur i cili fillon ta zgjidh lëmshin e krijuar në një familje të klasës së mesme kosovare.

Aktorët që luajnë në këtë film janë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Kumrije Hoxha, Meli Qena, Xhejlane Godanci, Edita Dula, Alketa Syla, Arta Selimi, Nata Zeqiri Berisha.

Ky film është prodhim i shtëpisë filmike ‘n’Art Films’ i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës  dhe Komuna e Prishtinës dhe pritet të jetë gati vitin që po vjen.

Lexo të tjera