11:53 / E Hënë, 18 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kjo është arsyeja e raportimit të shefit të AKI-së para Komisionit

I pari i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Shpend Maxhuni ka raportuar sot për herë të parë para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Me këtë rast zëvendëskryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë njëherësh deputete në Kuvendin e Kosovës,Ganimete Musliu ka treguar se në mbledhjen e sotme të këtij komisioni është diskutuar lidhur me gjendjen e sigurisë në vend.

Sipas Musliut, raportimi i  kreut të AKI-së, Shpend Maxhuni ishte në nivelin e duhur.

“Qytetarët e Kosovës mund të rrinë të qetë pasi që kemi një situatë të qetë. Ne jemi duke bërë vizita edhe nëpër regjion, javën e kaluar kemi qenë në Mitrovicë, nga aty jemi informuat për gjendjen e përgjithshme qoftë për veri qoftë edhe jug. Në Mitrovicë janë ende rrethanat e njëjta. AKI dhe institucionet e sigurisë janë në nivel të mirë dhe jemi duke monitoruar sigurinë”, ka thënë Musliu, transmeton Indeksonline.

Musliu poashtu ka deklaruar se në takim është diskutuar edhe për problemin e qarkullimit në veri pa targa të veturave.

“Unë kam thënë që çdo veturë që ec pa targa në cdo vend të Kosovës mund të ketë ndonjë kriminel brenda. Gjendja është sfiduese por policia po mundohet të kryej punën në mënyrën më të mirë”, ka shtuar Musliu.

Musliu është pyetur nëse në këtë mbledhje është diskutuar për rastin e depërtimit të gjashtë e shtetasve turq ku kjo  fundit ka thënë se sa i përket këtij rasti është formuar një komision parlamentar e që sipas saj është punë e komisionit në fjalë të jap informacione.